Përpilimi i programit për masën e paralajmëruar për ndihmë direkte për rritje të pagave deri në 18.000 denarë në veprimtaritë e punës intensive është në fazën përfundimtare dhe së shpejti do të dorëzohet për miratim deri te Qeveria, paralajmërojnë nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale. Me masën duhet të mundësohet rritje e mëtutjeshme e pagave, por së pari rritje të pagës minimale prej 12 mijë denarë, si parakusht për standard jetësor më cilësor, por njëkohësisht të mbahet kondicioni i firmave dhe të përmirësohet produktiviteti i punëtorëve.
Parashtrohet pyetja nëse punëdhënësit do ta shfrytëzojnë masën që t’ua rrisin pagat të punësuarve, duke u nisur nga ajo që ishin shfrytëzuar vetëm 10 për qind e subvencioneve për pagesë të pagës minimale, siç potencojnë punëdhënësit, për shkak të frikës se nëse paraqiten për subvencione do të kenë kontrolle të përforcuara nga shteti në kompanitë e tyre. Shumica e punëdhënësve obligimin për pagë minimale e konsiderojnë si ngarkesë, dhe potencojnë se shndërrohen në ndërmarrje sociale.
Përmes masës së paralajmëruar shteti do të sigurojë përkrahje financiare direkte prej 30 për qind nga rritja e bruto pagës së punëtorëve, për pagesë të pagave më të larta deri në 18.000 denarë.
Ajo është destinuar për firmat te të cilat shpenzimet për të punësuarit përbëjnë më shumë se 50 për qind të shpenzimeve të tërësishme dhe nuk bëjnë qarkullime të larta, përkatësisht firmat të cilat kanë përfitim si përqindje e të ardhurave të tërësishme më të vogla se 10 për qind. Sipas llogaritjeve të MPPS-së rreth 15.000 kompani me 50.000 punëtorë të cilat i plotësojnë kushtet për shfrytëzim të mjeteve.
Që të marrin përkrahje shtetërore, personi i punësuar në muajt tetor, nëntor dhe dhjetor të vitit 2017 ka qenë në marrëdhënie pune te punëdhënësi dhe ka pasur bruto pagë mesatare më të vogël se 26.250 denarë bruto, përkatësisht 18 mijë denarë neto, firma të jetë me punë intensive, të mos e zvogëlojë pagën e punëtorit minimum dy vite pas skadimit të ndihmës, të mos e zvogëlojë numrin mesatar të të punësuarve në vit në të cilën shfrytëzohet ndihma. Gjithashtu punëdhënësi duhet të mos lirohet nga pagesa e kontributeve nga sigurimi i obliguar social ose tatimi personal i të ardhurave për personin e punësuar, firma të mos ketë përfitim të madh, përkatësisht neto përfitim pas tatimimit, si përqindja e të ardhurave të tërësishme të jetë më e vogël se 10 për qind.
Nga MPPS theksojnë se të gjitha firmat që do t’i plotësojnë kushtet e parashikuara do ta marrin ndihmën financiare. Shpenzimet maksimale mund të arrijnë rreth 1.000.000 euto në muaj.
“Sepse programi, përkatësisht masa është në kërkesë të punëdhënësve kryesisht nga veprimtaria e punës intensive, ndërsa edhe është përkrahur nga sindikatat, presim në masë të madhe të ketë ndikim pozitiv. Qëllimi është ta vazhdojmë trendin e rritjes së tërësishme të pagave me çka shumica e qytetarëve do t’i ndjejnë përfitimet e standardit jetësor më të mirë dhe rritjen e fuqisë së tërësishme”, thonë nga MPPS.
Angel Dimitrov nga Organizata e punëdhënësve vlerëson në start se ideja e kësaj mase është mjaft e mirë.
“Qëllimi ishte pas rritjes së pagës minimale në 12.000 denarë të mund të rritet edhe paga e punonjësve më të mirë që të ruhet motivimi tek ata. Ne për një kohë të gjatë jemi duke biseduar me ministrin e Financave. ky ishte kompromisi që e arritëm, ndërsa ai është të subvencionohet 30 për qind e rritjes së bruto pagës”, thotë ai.
Mjetet e ndara, thekson, nuk janë të mëdha pasi me masën janë përfshirë kompanitë të cilat kanë përfitime të vogla apo modeste, jo më shumë se 10 për qind të shpenzimeve të përgjithshme dhe kompani të cilat kanë shpenzime për pagë mbi 50 për qind të shpenzimeve.
“Me kriteret e tilla u zvogëlua numri i kompanive të cilat mund t’i shfrytëzojnë këto masa. Atë që kërkonin punëdhënësit, ndërsa nuk e morën është gjatë përllogaritjes së pagës drejtpërdrejt për këto mjete të zvogëlohet shuma për pagesë në pjesën e kontributeve gjegjësisht në njëfarë mënyre drejtpërdrejt të kompensohen me obligimet tona ndaj fondit. Ministria e Financave nuk e pranoi këtë, mbeti si variant ne t’i paguajmë këto shuma, ndërsa më pas të shtrojmë kërkesa të kthehet dhe atë shumë që e kemi paguar për kontributet”, thekson Dimitrov.
Sipas tij mund të ndodhin probleme të ngjashme siç kanë ndodhur gjatë pagesës së pagës minimale, gjegjësisht gjatë kërkesës së subvencioneve për rritjen e saj, kompani prej frikës prej kontrollit të mos konkurrojnë për këto mjete dhe ato të mos shfrytëzohen. Me ligjin për pagë minimale janë paraparë mjete në lartësi prej gjashtë milionë euro për vitin e kaluar, ndërsa, thotë, u shfrytëzuan vetëm rreth 600 mijë euro apo 10 për qind e shumës së përgjithshme.
Para ca kohësh punëdhënësit e industrisë së tekstilit paralajmëruan se 5.000 persona mund të mbeten pa punë për shkak të vendosjes së pagës minimale dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese për ta hequr pjesëmarrjen e normuar.
Ata theksuan se nuk u nevojitet mbështetje për pagën minimale, por për pagat më të larta, për t’i stimuluar punëtorët dhe për ta rritur produktivitetin.
Punonjësit e tekstilit u ankuan edhe se pas vendosjes të pagës minimale praktikisht janë bërë ndërmarrje sociale. Janë sjellë në situatë të marrin kredi që të sigurojnë paga.
Sipas tyre, rreth 80 për qind nga të ardhurat e përgjithshme të kompanive të tekstilit shkojnë për paga që është shumë. Paga minimale është e paqëndrueshme në çdo pikëpamje, lidhur me produktivitetin, gatishmërinë teknike, konkurrencën, thekson Perkovska.
Në industrinë e tekstilit punojnë 35.000 persona prej gjithsej 40.000 së bashku në industrinë e lëkurës.
Nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) theksojnë se në vazhdimësi angazhohen për paga më të mëdha dhe se secila masë për rritjen e pagave të punëtorëve në sektorin privat dhe publik ka rëndësi të madhe.
“Edhe masa e Qeverisë për subvencionimin për rritjen e pagave në veprimtaritë e punëve intensive do të ketë rëndësi të madhe në përmirësimin e standardit të të punësuarve në këto veprimtari”, thotë kryetari i LSM-së Darko DImovski.
Thekson se kur do të publikohet masa do të shqyrtohet nga ana e LSM-s.
“Përkujtojmë edhe në përcaktimin tonë për pagë të barabartë për punë të barabartë, ndërsa si konfirmim për këtë është edhe suksesi i LSM-së në pjesën e heqjes së pagës së normuar nga ana e Gjykatës Kushtetuese me ç’ka siguruam pagesë të pagës minimale për të gjithë punëtorët në RM”, thotë ai.
Nga LSM besojnë se punëdhënësit do ta shfrytëzojnë këtë masë për rritjen e pagave në veprimtaritë e punëve intensive me qëllim, siç thonë standardit më të mirë të punëtorëve.
Sllavica Stefanovska
(MIA)