Propozimi Republika Ilinditase e Maqedonisë na befasoi dhe askush nga ne në Bullgari nuk është konsultuar. Është shumë me rëndësi interpretimi i tij, nëse aludon në të parin Ilinden ose në atë të dytin, komunist, deklaroi për MIA-n eurodeputeti bullgar, Andrej Kovaçev.
Sipas Kovaçev, kontesti shumëvjeçar rreth emrit do të mund të zgjidhet vetëm nëse të dyja palët, Maqedonia dhe Greqia, vendosin që të ndalojë.
Për eurodeputetin bullgar, emri më i përshtatshëm do të ishte Republika e Maqedonisë (Shkup), duke e pasur parasysh se është e qartë kërkesa greke për përcaktim gjeografik ose kohor.
“Nëse me propozimin Republika Ilinditase e Maqedonisë mendohet në atë të dytin, Ilindeni komunist, gjegjësisht KAÇKM, nuk jemi shumë të gëzuar”, theksoi eurodeputeti bullgar.
Vlerësimi i tij është se për shkak të Qeverisë së Gruevskit, Maqedonia ka humbur njëmbëdhjetë vjet dhe nuk ka bërë asgjë për zgjidhjen e kontestit.
“Më vjen keq që Maqedonia ka humbur ndoshta 11 vjet në bërjen asgjë. Kishte ngecje gjatë qeverisjes së Gruevskit dhe nuk është bërë asgjë madje situata me Greqinë dhe Bullgarinë u bë edhe më keq. Tani, dritarja e mundësive dhe vullneti i mirë i Zoran Zaevit dhe Nikolla Dimitrovit e kanë ndryshuar lojën. E vlerësojmë shumë këtë dhe shohim zhvillim shumë pozitiv në marrëdhëniet me ne. Mundohemi ta nxitim Greqinë ta ndjekë shembullin tonë dhe të gjejë një zgjidhje të pranueshme për emrin me Maqedoninë”, përmendi Kovaçev.
Kjo periudhë e gjatë prej të paktën 20 viteve, siç tha eurodeputeti, e ka rritur në njëfarë mënyrë ekstremitetin në qëndrimin e dy palëve.
Ai porositi se do të ishte mirë që partitë më të mëdha opozitare në dy vendet t’i mbështetin strukturat qeveritare në drejtim të tejkalimit të kontestit.
“Nëse Cipras dëshiron të bëjë diçka, Kamenos, Micotakis… thonë ‘jo, jo, jo’. Kjo është shumë keq nëse partia më e madhe opozitare në vend e shfrytëzon problemin me emrin për duele të brendshme politike. E njëjta vlen edhe për Maqedoninë, për VMRO-DPMNE-në dhe për LSDM-në”, tha eurodeputeti bullgar.
Kovaçev foli në konferencën në Parlamentin Evropian të organizuar në kuadër të “Tera Madre Ballkan”. Duke u përqendruar në zgjerimin e BE-së, dha qëndrim se kjo nuk do të ndodhë në katër-pesë vitet e ardhshme, e as deri në vitin 2025 siç paralajmëroi Junker. Sipas Kovaçev, tani për tani më e përgatitur për hyrje në BE është Mali i Zi, ndërsa vendet e tjera të rajonit, Maqedonia, Serbia, BeH-ja dhe Shqipëria duhet t’i zbatojnë reformat dhe t’i zgjidhin çështjet kontestuese. Por, siç përmendi, eurodeputeti bullgar dhe BE-ja duhet ta plotësojnë detyrën e tyre të shtëpisë – t’i bindë qytetarët e Francës, Gjermanisë…, se zgjerimi do të thotë përfitim për të gjithë, ndërsa në këtë drejtim, shtoi, ka sinjale pozitive.
(MIA)