Përfaqësues të partive parlamentare në Kuvendin e Maqedonisë sot në Ohër do t’i fillojnë bisedimet në kuadër të dialogut Zhan Mone: parim kyç i konsensusit për qasje të bashkaur drejt Integrimeve euro-atlantike për qytetarët e RM-së dhe përforcimi institucional i Kuvendit si shtyllë demokratike e të gjitha reformave. Takimi është inicuar nga eurodeputetët Ivo Vajgëll, Knut Flekenshtajn dhe Eduard Kukan.
Tema kyçe për të cilat do të diskutohet në kuadër të procesit janë Rregullorja për punë e Kuvendit, Kodi etik, pavarësia buxhetore e Kuvendit të Maqedonisë, si dhe çështje të tjera të kahëzuara drejt përforcimit të Kuvendit si institucion me rol qendror në agjendën reformuese për integrim në BE.
Pjesa e punës e dialogut fillon me paraqitje të të gjithë pjesëmarrësve, ndërkaq janë paraparë disa plenum-sesione në të cilat para pjesëmarrësve të bisedimeve prezantime të veta do të kenë edhe eurodeputetët, ekspertë të angazhaur mu për konferencën në Ohër, të cilët do të flasin për Kodin etik, Intervenimin për Rregullore të Kuvendit, intervenime buxhetore dhe sigurim të institucioneve. Pritet që nga bisedimet të dalin konkludime që duhet të miratohen në përfundim të takimeve.
Në bisedime do të marrin pjesë kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, nënkryetarët e Kuvendit, si dhe përfaqësues të të gjitha partive parlamentare.
Dialogu është paraparë të rrumbullakësohet me darkë në të cilën është paralajmëruar prania edhe e liderëve të partive parlamentare politike, kryeministri dhe lider i LSDM-së, Zoran Zaev, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickovski, i PDSH-së, Menduh Thaçi, Ziadin Sela nga Aleanca për Shqiptarët dhe nga BESA Bilall Kasami. Para tyre është paraparë të flasë edhe Sergej Stanishev, kryetar i partisë së Socialistëve evropianë.
Si hyrje në dialog mbrëmë u mbajt edhe darkë për pjesëmarrësit në bisedime, për të cilat eurodeputeti Ivo Vajgëll tha se janë me qëllim që në atmosferë të hapur, pa praninë e opinionit, të bisedohet për të gjitha problemet për të cilat ndoshta nuk është arritur konsensus.
“Konsideroj se në atmosferë të punës me ndihmë të ekspertëve të angazhuar për këtë konferencë, mund të arrihet deri te pajtueshmëria rreth disa çështjeve për të cilat nuk do të vendosim ne, nuk do të vendoset as këtu në qendrën ‘Zhan Mone’ në Paris, por në Kuvedin e RM-së. Kuptohet, do të bëhet fjalë për të ardhmen e Maqedonisë, mu për atë arsye jemi këtu, u angazhuam në Marrëveshjen e Përzhinos, dhe prej atje me kënaqësi të madhe mund të themi se vendi ka bërë hap të rëndësishëm përpara me marrjen e garancës për fillim të pakushtëzuar të negociatave për anëtarësim në BE. Kuptohet për atë do të vendosë Këshilli i Evropës dhe mund vetëm të them se jam optimist për atë”, deklaroi Vajgëll.
Takimi në kuadër të procesit “Zhan Mone” konsiderohet si realizim i një pjese të reformave në vend duke pasur parasysh se çështjet për konstituimin e Parlamentit dhe për pyetje të deputetëve janë pjesë e planit “3-6-9”, ndërsa bisedimet pritet në prëgjithësi të kontribuojnë edhe për përmirësimin e dialogut politik.
(MIA)