Bashkimi Evropian e përshëndet përkushtimin e Ballkanit Perëndimor në vlerat, parimet dhe vizionin evropian për një Evropë të fortë, të qëndrueshme dhe të bashkuar. Duke iu referuar Samitit të Selanikut në vitin 2003, konfirmohet mbështetja e qartë për perspektivën evropiane të rajonit, thuhet në versionin e fundit të deklaratës që do të miratohet në Samitin BE – Ballkanit Perëndimor, i cili do të mbahet nesër në Sofje.
Lidhja në transport, energji dhe infrastrukturën digjitale, arsim dhe aspektet e tjera është tema e samitit, në të cilën do të marrë pjesë delegacion i qeverisë të Maqedonisë, i kryesuar nga Kryeministri Zoran Zaev, njoftoi raportuesja e MIA-s nga Sofja.
Në Samitin, që mbahet në organizim të presidencës bullgare me BE-në, do të marrin pjesë liderët e shteteve anëtare të Unionit dhe të rajonit.
Samitin do ta kryesojë kryetari i Këshillit Evropian Donald Tusk, i cili do të përfaqësojë BE-në, së bashku me kryetarin e Komisionit Evropian Zhan-Klod Junker.
Kryeministri Zaev në shoqërim të zëvendëskryeministrit të angazhuar për Çështjet Evropiane Bujar Osmani dhe ministrit të Punëve të Jashtme Nikolla Dimitrov do të marrin pjesë në aktivitetet e agjendës zyrtare në Samitin më 17 maj.
Në dokument theksohet se BE-ja është e vendosur për intensifikim të angazhimit në të gjitha nivelet që të nxitet transformimi politik, ekonomik dhe social i rajonit me ndihmë më të madhe në bazë të përparimit të dukshëm në sundimin e së drejtës dhe reformave sociale edhe ekonomike.
BE-ja e përshëndet përcaktimin e partnerëve nga rajoni për demokraci dhe sundim të së drejtës, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit dhe respektimin e të drejtave të njeriut dhe të drejtave të pakicave.
Në projekt dokumentin shtohet se BE-ja i mbështet angazhimet e partnerëve nga Ballkani Perëndimor të vazhdojnë me punën për harmonizimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore, stabilitetin rajonal dhe bashkëpunim reciprok.
Në projekt konkluzionet, theks i veçantë vihet edhe në krijimin e mundësive të reja për të rinjtë që do të kontribuojnë për zhvillim socio-ekonomik të Ballkanit Perëndimor.
Në projektin e deklaratës që ende harmonizohet thuhet se ndërtimi i “rrejtit të dendur dhe rasteve” në rajon dhe me BE-në ka rëndësi thelbësore për afrimin e qytetarëve dhe ekonomisë dhe përforcimin e stabilitetit politik, prosperitetit ekonomik dhe zhvillimit kulturor dhe social.
BE-ja do t’u ndihmojë shteteve nga rajoni për zhvillimin e ekonomisë digjitale dhe ekologjike në shoqëri në pajtim me marrëveshjen e Parisit.
Unioni e përshëndet përcaktimin e partnerëve të rajonit ta përshpejtojnë implementimin e rrjedhave juridike në kuadër të Bashkësisë energjetike dhe bashkësisë transportuese, për t’i hequr barrierat në kufij…
Në projekt deklaratën thuhet se partnerët e Ballkanit Perëndimor i ndajnë shumë sfida të sigurisë të cilat kërkojnë aksion të koordinuar dhe se lufta kundër terrorizmit dhe ekstremizmit kërkon bashkëpunim të përforcuar.
Theksohet se BE-ja dhe partnerët e Ballkanit Perëndimor janë të vetëdijshëm se rezultatet nga lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar janë kyçe për transformimin politik dhe ekonomik dhe për stabilitetin rajonal dhe sigurinë dhe në interes më të mirë për qytetarët.
Kur bëhet fjalë për përshpejtimin e zhvillimit të jetës së qytetarëve, BE e nisi agjendën prioritare të Sofjes për BE-në dhe për Ballkanin Perëndimor, që paraqet plotësim për deklaratën. BE e përshëndet qëllimin që Kroacia të bëhet nikoqire e samitit BE-Ballkani Perëndimor gjatë kryesimit me BE-në në gjysmën e parë të vitit 2020.
Mesazh të qartë për Ballkanin Perëndimor, BE dërgoi nga Samiti në Selanik, para 15 vitesh se dëshiron që shtetet e rajonit të jenë anëtare. Deri më tani këtë e shfrytëzoi vetëm Kroacia, e cila pas gjashtë vitesh negociata në vitin 2013 u bë anëtare e Bashkimit Evropian.
Shtetet e tjera janë në faza të ndryshme në rrugën drejt BE-së dhe tani rajoni është në nivel të lartë në agjendën e BE-së.
Samiti në Sofje duhet ta konfirmojë përkushtimin e BE-së drejt partnerëve të Ballkanit Perëndimor dhe se rajoni i takon familjes evropiane.
Maqedonia është kandidate për anëtarësim në BE nga viti 2005, ndërsa muajin e kaluar mori rekomandim të pastër nga KE-ja për fillimin e negociatave dhe vendi shpreson se në Samitin e BE-së në korrik do të marrë datë për fillimin e negociatave.
Shqipëria është kandidate nga viti 2014. Komisioni Evropian në raportet e muajve të kaluar për progres, përveç për Maqedoninë rekomandoi hapjen e negociatave edhe me Shqipërinë.
Serbia në vitin 2012 u bë kandidate për anëtarësim dhe tashmë filloi negociata, Mali i Zi është kandidate prej vitit 2010 dhe në qershor të vitit 2012 i filloi negociatat inkuadruese.
Më larg anëtarësimit për momentin janë BeH dhe Kosova. Marrëveshja për stabilizim dhe asociim me BeH-në hyri në fuqi në vitin 2015, ndërsa me Kosovën në vitin 2016.
(MIA)