Eurokomisari për Zgjerim Johanes Han, në intervistën për gazetën greke “Ta nea”, u shpreh i bindur se mund të arrihet zgjidhje për emrin dhe vlerëson se në Sofje nuk do të jetë pika vendimtare për atë nëse do të ketë zgjidhje, por ajo që është me rëndësi në këtë rast është cilësia e marrëveshjes.
“Duke pasur parasysh përpjekjet të cilat i bënë të dy palët me ndërmjetësim nga përfaqësuesi i BE-së, Methju Nimic, jam i bindur se mund të gjendet zgjidhje. Nëse kjo do të ndodhë që në Sofje nuk është pikë vendimtare, me rëndësi është cilësia e marrëveshjes. Nëse është e mundur në Sofje, do të jetë edhe më mirë. Por, më me rëndësi është vendosmëria e dy liderëve për të arritur kompromis të pranueshëm për të dy vendet. Zgjidhja nuk është e mirë vetëm për ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë, por edhe për gjithë rajonin”, thotë Han në intervistën për “Ta nea” të titulluar “Zgjidhje e mundshme edhe në Sofje”, duke iu përgjigjur pyetjes se a pret ndonjë zgjidhje të rëndësishme në Samitin BE-Ballkani Perëndimor në kryeqytetin bullgar, ku është caktuar takimi i Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras.
Korrespondentja e MIA-s nga Athina raporton se komisari për zgjerim të BE-së në intervistë flet edhe për perspektivën evropiane të Maqedonisë dhe Shqipërisë dhe avancimin të cilin e kanë bërë këto dy vende.
Vendi ynë, thotë, “me mbështetje aktive nga BE-ja e tejkaloi krizën e thellë politike dhe zbatoi reforma të rëndësishme lidhur me Marrëveshjen e Përzhinës”, por edhe u afrua më afër me fqinjët, si me marrëveshjen me Bullgarinë ashtu edhe përmes përpjekjeve për të gjetur kompromis me Greqinë.
“Vendimi për fillim të bisedimeve do të jetë nxitje e madhe që këto dy vende të vazhdojnë edhe më shumë të avancojnë reformat e tyre. E përshëndes një vendim pozitiv të Këshillit sepse BE-ja do të duhet, gjithashtu, të përgjigjet ndaj zotimeve të saj në lidhje me perspektivën evropiane, kur vendet kanë përmirësim të dukshëm në agjendën evropiane të Maqedonisë dhe Shqipërisë.
Në lidhje me Samirin e ardhshëm BE-Ballkani Perëndimor në Sofje, komisari për zgjerim thotë se edhe njëherë do të vërtetohet perspektiva evropiane e vendeve nga rajoni, por Samiti nuk do të ketë vetëm deklarata, por do të ketë edhe projekte konkrete.
“Do të prezantojmë pako të interferencave me projekte konkrete në fushën e transportit, energjisë dhe digjitalizimit, që do të përforcojnë lidhjet e vendeve nga Ballkani Perëndimor në rajon dhe me Bashkimin Evropian. Kjo pako do të nxisë investimet, do të mbështesë zhvillimin ekonomik dhe do të krijojë vende të reja të punës. Gjithashtu, kjo do të kontribuojë në frymën e procesit të Berlinit për shkëmbim më të mirë dhe mirëkuptim në rajon”, thotë Han.
(MIA)