Bullgarët e mbështesin integrimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe mendojnë se vendi i tyre ka interes që ata të bëhen pjesë e familjes evropiane, tregojnë rezultatet nga hulumtimi i Qendrës “Trend”, të përpunuar me porosi të “24 orë”.
Gjashtëdhjetë për qind e bullgarëve e mbështesin pranimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Vetëm 16 për qind kanë mendim të kundërt. Rreth një e katërta megjithatë nuk kanë mendim ose nuk mund të japin vlerësim.
Mbështetje më të fuqishme bullgarët japin për pranimin e Maqedonisë dhe Serbisë. Shtatëdhjetë për qind e të anketuarve e mbështesin hyrjen e Maqedonisë në BE, ndërsa 67 për qind e mbështesin pranimin e Serbisë, me ç’rast kjo mbështetje ka të bëjë me rrënjët e përbashkët të tre vendeve në lidhje me kuptimin kulturor dhe religjioz.
Më e vogël është mbështetja për hyrjen e Shqipërisë në BE (45 për qind) dhe e Kosovës (42 për qind), por edhe krahas asaj, kjo është më e lartë në krahasim me mendimin se ato vende duhet të bëhen pjesë e familjes evropiane.
Bullgarët, sipas hulumtimit e mendojnë për interes nacional integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor. Gjysma e të anketuarve mendojnë se Bullgaria ka interes nga pranimi i Ballkanit Perëndimor në BE, ndërsa vetëm 18 për qind kanë mendim të kundërt.
Pesëdhjetë e dy për qind e të anketuarve mendojnë se pranimi i vendeve të rajonit pozitivisht do të reflektojë tek Bullgaria.
Perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor, dekadën e ardhshme duket optimiste sipas shumicës së bullgarëve. Dyzet e tre për qind mendojnë se vendet e rajonit do të pranohen në BE në dhjetë vitet e ardhshme, ndërsa 18 për qind kanë mendim të kundërt. Tridhjetë e nëntë për qind, megjithatë nuk kanë përgjigje në këtë pyetje ose nuk mund të japin vlerësim.
Pesëdhjetë e tetë për qind e bullgarëve mendojnë se Bullgaria duhet t’u ndihmojë vendeve të Ballkanit Perëndimor në hyrjen e tyre në Union, ndërsa 45 për qind mendojnë se vendi i tyre nuk ka kapacitet për ta bërë këtë.
Sondazhi është përpiluar në periudhën nga 2 deri më 10 maj për 1.009 persona të moshës mbi 18-vjeçare.
(MIA)