Një botues librash në Maqedoni pohon se ka shitur mijëra kopje të librit “Mein Kampf” të Adolf Hitlerit, duke nxitur debatin nëse ky libër duhet të jetë i pranishëm në këtë vend.
Madje, libri ishte i pranishëm edhe në Panairin e Librit në Shkup, që ishte i hapur nga 3 e deri më 9 maj. BIRN thotë se prania e fotografive në internet shkaktoi reagime të shumta negative, kurse libri gjendet në raftet e librarive, me një çmim prej 300 denarësh (5 euro).
Për herë të parë, libri u përkthye dhe doli në shitje në Maqedoni në vitin 2005. Nikola Koteski nga shtëpia botuese “Gjurgja”, thotë se pas shitjes së 1000 kopjeve, libri i publikua sërish, pasi që kërkesa vazhdoi të rritet.
Ai thotë se nuk pajtohet me Hitlerin, dhe se në libër e thonë këtë, por mendon se nuk ka asnjë arsye që të mos publikohet. Shtëpia botuese e Kosteskit ka publikuar edhe libra të Joseph Goebbels dhe të Mussolinit.
Mirëpo, ekspertët thonë se nuk ka të dhëna që suksesi komercial i librit të Hitlerit të ketë frymëzuar mbështetje të nazizmit në Maqedoni.
Sociologu Gorgi Tonovski thotë se libri i Hitlerit u bë popullor për çështje kurioziteti dhe jo ndonjë lidhje ideologjike, mirëpo historiani Kosta Axhievski thotë se libri vazhdon të paraqesë rrezik, duke u shprehur se librin nuk e ka lexuar, nuk ka ndërmend ta lexojë dhe se nuk duhet lexuar.
Burimi: Zhurnal