Ndjej ndryshim në ambientin politik të Maqedonisë dhe vullnet të mirë për lëvizjen e integrimit euroatlantik. Shoh lidership të inkurajuar, të orientuar drejt së ardhmes. Rekomandimi i KE-së është dëshmia më e mirë se përpjekjet e Maqedonisë kanë impresionuar shumicën në Evropë, theksoi kryetari i Këshillit Evropian Donald Tusk në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Zoran Zaev.
Tusk tha se nuk ka vend më të mirë se Shkupi që ta përfundojë turneun ballkanik.
“Shumë punë u ndryshuan nga viti 2015, kur erdha që të ndalet fluksi i emigrantëve. Prej atëherë ruta ballkanike është mbyllur dhe ashtu duhet të mbetet”, tha Tusk.
I shprehu falënderim Maqedonisë për ndalimin e rutës së emigrantëve, por edhe për përkrahjen për rastin Skripal.
“Qëndruat me ne në rastin Solsberi dhe ne do të qëndrojmë afër jush. BE-ja është shpresa më e madhe për qytetarët tanë”, tha njeriu i parë i Këshillit Evropian.
Lidhur me rëndësinë e fqinjësisë së mirë, Tusk tha se me marrëveshjen e nënshkruar me Bullgarinë, Maqedonia ka dëshmuar se kur ekziston vullnet të tejkalohen esencat e së kaluarës, ekziston edhe mënyrë të shkohet drejt së ardhmes.
“Shpresoj se e njëjta do të arrihet edhe me Greqinë. E keni përkrahjen time të pakushtëzuar dhe besoj te ju”, tha Tusk.
Kryetari i Këshillit të Evropës theksoi se BE-ja do t’i ndihmojë Maqedonisë në përpjekjet për realizimin e reformave dhe se për këtë i ka të gjitha përbërjet e nevojshme për sukses – konsensus politik për anëtarësim në BE dhe në NATO, si dhe vendosmëria e qytetarëve.
“BE-ja është shpresa më e madhe për ardhmëri më të mirë për qytetarët tuaj. Këtë e them nga përvoja si polak. Sot në kuadër të BE-së, mund ta ruajmë identitetin tonë kombëtar, derisa jemi pjesë e bashkësisë më të madhe në të cilën të gjithë mund të prosperojmë”, konkludoi Tusk.
Shtoi se në Samitin e ardhshëm BE-Ballkani Perëndimor në Sofje duhet të vendoset energji e re në marrëdhëniet, të riafirmohet perspektiva evropiane në rajon dhe të përmirësohen lidhjet edhe në vetë rajonin. Theksoi se është e nevojshme edhe përballje e përbashkët me sfidat e sigurisë, siç janë trafikimi i emigrantëve, terrorizmi dhe krimi i organizuar.
“BE-ja është dhe do të mbetet partner më i besueshëm i tërë rajonit. Unioni është investitori më i madh, donator dhe partneri më i madh tregtar në tërë rajonin dhe kjo ka të bëjë edhe me Maqedoninë. Rreth 80 për qind e eksportit tuaj shkon në BE, 13 për qind nga eksporti bie tek fqinjët e Ballkanit Perëndimor dhe vetëm 1,5 për qind është me Turqinë, një për qind me Rusinë dhe një për qind me Kinën”, tha Tusk.
Kryeministri Zaev, ndërkaq, tha se pas KE-së, Maqedonia dëshiron t’i bindë edhe vendet anëtare se meriton të marrë datë dhe t’i fillojë negociatat për anëtarësim, ndërsa në këtë nuk ka qenë asnjë më afër se tani.
“Vazhdojmë me të njëjtin ritëm, reformat do të bëhen më të dukshme dhe më konkrete”, tha Zaev, duke e paralajmëruar Planin 18, që po përgatitet në bashkëpunim me KE-në.
Tha se pas lajmit jashtëzakonisht të mirë nga KE-ja se për RM-në do të propozohet rekomandim pa kusht dhe i pastër për fillimin e negociatave parainkuadruese me BE-në, në këtë vizitë shikojmë si në një mirënjohje të madhe, inkurajim, por edhe përgjegjësi për vendin.
“Me mirënjohjen për përparimin e Maqedonisë, njëkohësisht vjen edhe përgjegjësia që të vazhdojmë me intensitet të njëjtë me transferim të RM-së në shembullin e standardeve të BE-së. Nuk ka kohë për lëshime, në periudhën e ardhshme do t’i ndajmë përpjekjet tona. Reformat do të jenë më të qarta, më konkrete dhe më efikase”, tha Zaev.
Theksoi se Maqedonia doli nga kriza e thellë politike dhe nga shteti i robëruar, u kthye në rrugën në të cilën ecin të gjitha shtetet demokratike evropiane, janë përgatitur dhe implementuar planet fillestare reformuese, si plani 3-6-9 dhe mori rekomandim të pastër.
“Me përfshirjen e opozitës sollëm zgjidhje të rëndësishme ligjore sipas praktikave të suksesshme evropiane për gjyqësi të pavarur, shërbime profesionale kundërzbuluese, administratë efikase publike”, shtoi Zaev.
Tha se vendi po hyn në aktivitete për të ofruar argumente se meritojmë fillim të negociatave me BE-në dhe se është i gatshëm të kap hapin me vendet e rajonit të cilat tashmë negociojnë.
“Para nesh kemi qëllim konkret, asnjëherë nuk kemi qenë më afër që të marrim datë për fillim të negociatave me BE-në. Kjo është shtytje e madhe për ne dhe motivim i madh për qytetarët se Maqedonia ka perspektivë të mirë dhe kjo do të ketë implikim pozitiv ekonomik dhe të sigurisë”, tha kryeministri.
Sipas tij, nënshkrimi i marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Bullgarinë e ka tejkaluar skepticizmin dhe se tani fokusi është në gjetjen e zgjidhjes për problemin me emrin që do t’i hapë dyert për fillim të negociatave me BE-në dhe anëtarësimin në NATO.
Zaev pret që Samiti i BE-së në Sofje të konfirmohet perspektiva evropiane e shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Burimi: MIA