Si kyçe dhe vendimtare, mediat greke e karakterizojnë takimin e sotëm në Vjenë të ministrave të punëve të jashtme të Maqedonisë dhe të Greqisë, Nikolla Dimitrov dhe Nikos Koxias me përfaqësuesin special të KB-së, Methju Nimic.
Gazetarët te fqinji jugor përkujtojnë se dallimet mbesin të pandryshuara, ndërsa ato lidhen me kërkesën greke për erga omnes, gjegjësisht emër për përdorim të përgjithshëm dhe revizion kushtetues.
“Zotërinjtë Koxias, Dimitrov dhe Nimic do t’i shqyrtojnë të gjitha çështjet që tanimë janë dakorduar në negociatat e deritanishme të mbajtura dhe do t’i ndajnë temat “gjemba” që ende po i mbajnë larg Athinën dhe Shkupin. Si “gjemb” themelor paraqitet shtrirja e përdorimit të emrit të ri, sepse Athina insiston në emër për përdorim të përgjithshëm dhe për të gjithë, derisa ndërkaq IRJM preferon “emër të dyfishtë”, gjegjësisht emër për përdorim ndërkombëtar dhe ruajtjen e emrit kushtetues në brendësi”, publikon radioja greke “Athina 984”, transmeton MIA.
“Të gjitha hapat që duhej t’i bënim, i bëmë”, ka thënë një përfaqësues qeveritar për portalin informativ grek „lefimerida“ dhe ka shtuar se pala tjetër, gjegjësisht Maqedonia, duhet t’i bëjë hapat e tjerë.
Sipas portalit, Qeveria greke pohon se ekzistojnë përkufizime kohore, ndërsa negociatat vazhdojnë.
Gazeta “Katimerini” sërish shkruan se sipas informatave të caktuara, ndërmjetësuesi Nimic, veçanërisht pas takimeve të vazhdueshme të Dimitrovit dhe Koxias, vlerëson se “niveli i negociatave mes Athinës dhe Shkupit është më i avancuar se kurrë deri tani, diçka që në esencë i lehtëson parakushtet për marrëveshje”.
Edicioni onlajn i gazetës “Proto tema” komenton se, “nuk është i vogël numri i atyre nga Perëndimi”, që i bëjnë presion Greqisë dhe duke i’u referuar burimeve diplomatike shkruan se është arritur marrëveshje për çështje teknike.
“Por, në tërësi, mendohet se Shkupi paraqitet më i pakompromisuar në negociata. Për shumicën, ky epilog tregon se në prapavijë miqtë dhe partnerët e Greqisë në NATO dhe BE me siguri nuk kanë për qëllim të kryejnë presione ndaj Shkupit për lëshimet, por e detyrojnë palën greke drejt lëshimeve nga “linja e kuqe” për emër kontestues të përdorimit të tërësishëm (erga omnes) dhe nga kërkesa e Greqisë të mënjanohen të gjitha citimet irredentiste nga Kushtetuta e Shkupit, shkruan “Proto tema”.
Siç njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Athina, mediat greke përmendin se dy shefat e diplomacive, veçmë javën e ardhshme, më 3 dhe 4 maj, do të mbajnë takim të ri në Selanik në suaza të mbledhjes katërpalëshe të ministrave nga Maqedonia, Shqipëria, Bullgaria dhe organizatorja Greqia, ndërsa pastaj edhe në Sunio, gjatë Konferencës për Evropën më 11 dhe 12 maj.
Burimi: MIA
Përmbajtjet që i merr Civili nga burime tjera nuk i nënshtrohen licencës Creative Commons 1.0, e cila përndryshe është e zakonshme, për përmbajtjet të cilat i plason kjo platformë mediatike. Ju lutemi, konsultohuni me buruesit për marrje të përmbajtjeve të tilla.