Shefat e diplomacive të Maqedonisë dhe Greqisë, Nikolla Dimitrov dhe Nikos Koxias sot pasdite do të kenë takim me ndërmjetësuesin e Kombeve të Bashkuara për kontestin me emrin, Methju Nimic.
Edhe takimi paraprak në formatin e njëjtë është mbajtur në Vjenë më 30 mars. Ndërkohë Koxias dhe Dimitrov kishin takim bilateral më 12 prill në Ohër.
Ministri grek i Punëve të Jashtme, Nikos Koxias në deklaratë për radion greke 247 ka thënë se marrëveshje nuk mund të arrihet në samitin e NATO-s në korrik.
Eurokomesari për zgjerim Johanes Han deklaroi se pret që çështja e emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë të zgjidhet në 15 ditët e ardhshme.
“Unë jam optimist se në dy javët e ardhshme do të gjendet zgjidhje për emrin ose zgjidhje e cila do ta hapte rrugën për fillimin e bisedimeve me IJRM-në. Mendoj se të gjithë pajtohen se kjo ka qenë në interes të shtetit dhe tërë rajonit të Ballkanit Perëndimor”, tha Han para Komitetit për politikë të jashtme të Parlamentit Evropian, bënë të ditur IBNA (Agjencia e pavarur ballkanike e lajmeve).
Kryeministri Zoran Zaev i pyetur që ta komentojë deklaratën e Hanit, mbrëmë në konferencën për media tha se nuk beson se për dy javë do të zgjidhet kontesti i emrit.
“Eurokomisari Johanes Han është mik i madh i Maqedonisë dhe dhashtë Zoti ai të ketë informatë që për dy javë do të përfundonin. Unë e dëshiroj këtë, por besoj se nuk është e mundur sepse nesër kemi takim mes dy ministrave të Punëve të jashtme. E di përafërsisht se si do të bisedohet dhe deri ku presim të përfundojmë. Në përgjithësi, atë që unë e pres është të bëjmë përpjekje maksimale deri në vendimin e Këshillit të Bashkimit Evropian sepse jemi të sigurtë se nëse kemi zgjidhje deri atëherë, krahas asaj që meritojmë, do të marrim garanca definitive dhe më të fuqishme se do të fitojmë datë për negociata”, tha Zaev.
Lidhur me ftesën për NATO, theksoi se është e ditur se ajo merret në mënyrë automatike.
Ministria greke e Punëve të Jashtme (MPJ), pasdite përmes një kumtese reagoi ndaj deklaratës së eurokomisarit Johanes Han duke i bërë thirrje që të ndalojë së dhëni imazh të gabueshëm negociatave.
“I bëjmë thirrje komisarit Han që të ndalojë të japë imazh të gabueshëm për negociatat të cilat, siç shihet, nuk i kupton. Më së paku çfarë mund të bëjë është që të ndërpresë t’i minojë”, njoftojnë nga MPJ-ja e Greqisë, njofton korrespondentja e MIA-s nga Athina.
Ministrat Dimitrov dhe Kosias, siç veçmë u kumtua pas takimit të tyre në Ohër, do të takohen edhe në dy konferencat te fqinji jugor, njëra më 3 dhe 4 maj në Selanik, ndërsa tjetra një javë pas në Sunio.
Burimi: MIA
Përmbajtjet që i merr Civili nga burime tjera nuk i nënshtrohen licencës Creative Commons 1.0, e cila përndryshe është e zakonshme, për përmbajtjet të cilat i plason kjo platformë mediatike. Ju lutemi, konsultohuni me buruesit për marrje të përmbajtjeve të tilla.