Departamenti Amerikan i Shtetit, dje komunikoi ndalimin e hyrjes në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, Tom Doshi dhe të familjes së tij, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion.
Ky është ndalimi i dytë që bëhet nga DASH, për një zyrtar të lartë shqiptar, pas ish-kryeprokurorit Adriatrik Llalla.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, sot Ambasada Amerikane në Tiranë ka shpërndarë njoftimin zyrtar të DASH, ku thuhet se, “Departamenti i Shtetit njofton publikisht se ka ndaluar deputetin e Kuvendit të Shqipërisë, Tom Doshi, sipas nenit 7031 (c) të Aktit të Ndarjeve të Përbashkët të FY 2017, të hyjë në Shtetet e Bashkuara, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion”.
Në bazë të njoftimit deputeti Doshi, bashkëshortja e tij Xhovana Doshi, vajza e madhe Briana Doshi, djali në moshë madhore James Doshi dhe fëmijët në moshë të mitur, nuk lejohen të hyjnë në Amerikë.
Në një reagim për mediat shqiptare, Doshi u shpreh se lajmin e kishte marrë vesh nga mediat dhe se nuk trembej nga asgjë, pasi sipas tij figurën e ka të pastër.
“Unë kam qenë edhe në të kaluarën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Fëmijët dhe gruaja ime janë nënshtetas australianë dhe nuk kanë nevojë për vizat amerikane. Unë jam i qetë pasi nuk kam shkelur asnjë ligj, e kam deklaruar pasurinë që në 2005, jam taksapaguesi më i madh në Shqipëri. Jam i pastër dhe nuk kam frikë. Unë jam arrestuar në mënyrë të paligjshme dhe nuk më shkon ndërmend të merrem me këtë punë. Nuk jam Adriatik Llalla që merret me korrupsion”, tha Doshi.
Burimi: MIA