Dhuna që ndodhi në oborrin e gjimnazit të Gostivarit është turp i paparë që asnjëherë nuk ka ndodhur në historinë e Gostivarit, është vlerësimi i kryetarit të komunës së Gostivarit Arben Taravari për ngjarjen kur të premten dy profesorë kanë marrë lëndime trupore në zënkën fizike me dy persona të tjerë.
Ai kërkoi që Ministria e Arsimit t’ia kthejë kompetencat kryetarit të komunës, ndërsa organet kompetente të bëjnë zbardhjen e plotë të rastit dhe dhunuesit të marrin dënimin e merituar.
“Ne thamë që marrja e ingerencave në arsim do të sjellë pasoja dhe ja ku i shohim pasojat. Ne kërkojmë nga ministri i Arsimit që të na i kthejë kompetencat , të suspendohet drejtori i shkollës së mesme të gjimnazit si orkestrues i këtij sulmi, kërkojmë që Ministria e Arsimit të informojë komunën se çfarë hapash janë ndërmarrë për rastin konkret. Ne si komunë kemi formuar komision i cili po merret me hulumtime se përse ka ardhur deri në këtë incident të dhunshëm ndërsa nga MPB kërkojmë që të mos i mbrojë banditët dhe ta zbardhë rastin. Unë jam shumë i sigurt se nëse atë ditë, sulmues do të ishin aktivistë të ASH-së, ata sot do të ishin në burg. Ndërsa dy personat që rrahën profesorët, shëtisin lirshëm dhe u kanosen qytetarëve dhe aktivistëve të tjerë të ASH-së”, deklaroi Taravari.
Taravari kërkoi gjakftohtësi nga të gjithë qytetarët ndaj provokimeve të këtilla. Ai tha se nuk dëshiron hakmarrje, por se insiston që organet kompetente ta kryejnë detyrën në favor të drejtësisë.
“Fatkeqësisht, shteti shpesh ka insistuar që shqiptarët të kenë luftë mes njëri-tjetrit. Unë këtë nuk do ta lejoj. Unë kam kërkuar tolerancë nga të gjithë qytetarët por edhe nga anëtarët e ASH-së që të jenë gjakftohtë ndaj provokimeve të këtilla, me qëllim që organet kompetente t’i zgjidhin këto punë”, tha ai.
Ai tha se do të dëshironte që dega e BDI-së në Gostivar të udhëhiqej nga një njeri meritor me të cilin do të bashkëpunonin dhe do të ndërtonin strategji të përbashkëta në favor të qytetarëve.
Burimi: MIA