Korniza kohore dhe hapat se si do të implementohet marrëveshja eventuale për kontestin me emrin që ka Greqia me Republikën e Maqedonisë janë momentet e reja në negociatat e djeshme që i vazhduan ministrat e punëve te jashtme Nikolla Dimitrov dhe Nikos Koxias në Ohër.
Të dy u pajtuan se është arritur përparim për një pjesë të çështjeve të cilat tashmë janë pjekur, ndërsa për një pjesë ende ekzistojnë dallime.
Dimitrov tha se kanë pasur bisedime të hapura dhe të sinqerta dhe se për herë të parë është biseduar edhe për hapat se si të implementohet marrëveshja eventuale.
“Kjo ishte bisedë pa i shitur mend njëri – tjetrit, duke kuptuar nevojat e tjetrit dhe sfida jonë kryesore është si t’i lëmë me një anë hallet kryesore të dy palëve dhe t’i përbëjmë dhe ta gjejmë kombinimin që kjo do ta sigurojë”, tha shefi i diplomacisë së Maqedonisë.
Në kuadër të bisedimeve të djeshme u mbajt edhe një takim i grupeve të punës të dy ministrive, në nivel të diplomatëve të lartë, të cilat në bazë të përparimit të bisedimeve në Vjenë e harmonizojnë tekstin për bashkëpunimin e ardhshëm në fusha të ndryshme. Diplomatët punojnë edhe në tekst të parandalimit për irredentizmin nga të dy palët dhe në pjesë të preambulës së marrëveshjes eventuale.
Koxias, nga ana e tij, konfirmoi se ka përparim edhe në nivel të ministrave dhe në nivel të grupeve të punës.
“Ka përparim. Sado që afrohemi i zgjidhim problemet tona, mbeten më pak tema për zgjidhje, por ato janë më të vështirat. Sot bëmë hap pozitiv dhe shpresojmë se do të bëjmë që problemet e vështira të bëhen më të lehta. Përpiqemi të zgjidhim probleme të shkaktuar nga e kaluara dhe nga të tjerët”, tha Koxias.
Sipas liderit të partisë opozitare greke, Demokracia e Re, Kiriakos Micotakis, revizion kushtetues, përballje me irredentizmin dhe çështjet lidhur me identitetin, janë parakushtet për arritjen e marrëveshjes.
Në takimin e sotëm dhe konferencën për shtyp me korrespondentët e huaj në Greqi, duke u përgjigjur në pyetjen e korrespondentes së MIA-s nga Athina, Micotakis i përsëriti pozitat e tij dhe i bëri kritika të ashpra Qeverisë greke se nuk ka pozitë të vetme dhe të përbashkët për shkak të qëndrimit të Panos Kamenos.
“Publikisht e kam vendosur kornizën për një marrëveshje të mundshme. Ka të bëjë me revizionin kushtetues si parakusht të domosdoshëm për të ekzistuar çfarëdo lloj marrëveshje, përballje me çështjet me irredentizmin dhe identitetin nacional, si kusht i domosdoshëm për të ekzistuar marrëveshja dhe për të filluar procesi integrues i Shkupit në institucionet euro-atlantike. Ky është pozicioni im që është shumë i qartë”, tha Micotakis.
Për bisedimet e djeshme, Dimitrov dhe Koxias do t’i informojnë kryeministrat Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras. Paralajmëruan se procesi vazhdon dhe se do të kenë mundësi sërish të takohem më 3 dhe 4 maj në Selanik dhe më pas edhe më 11 dhe 12 maj. Në ndërkohë mbeten në kontakt dhe siç theksuan, sapo të ketë diçka konkrete do ta informojnë opinionin.
Burimi: MIA