Ne në cilëndo mënyrë do ta parandalojmë përdorimin e termit Maqedoni në emrin e Shkupit, kjo është e qartë, thotë lideri i Grekëve të Pavarur, partia e cila është partner koalicioni në qeverinë greke dhe ministër i Mbrojtjes së Greqisë, Panos Kamenos.
Në një intervistë për emisionin e mëngjesit të televizionit grek “Antena”, ai jo vetëm që nuk i përsëriti pozicionet e tij kundër emrit të ndërlikuar, por dy herë porositi se ata si parti do të përpiqen në cilën do mënyrë ta bllokojnë termin Maqedoni të jetë i kyçur në emrin e vendit tonë.
Siç njofton korrespondenti i MIA-s nga Athina, Kamenos tha se për marrëveshjen eventuale të arrijë deri në parlamentin grek, nevojitet që të plotësohet kërkesa greke për ndryshime kushtetuese.
“Që të ketë ndryshim të Kushtetutës, do të duhet të mbahen zgjedhje në Shkup. Ejani të themi se do të mbahen zgjedhje dhe të themi se ka kthesë dhe pranojnë ndryshime kushtetuese, që sot nuk pranohen. Vetëm atëherë, me vendim të qeverisë greke, do të vijë kjo lloj marrëveshje në parlament dhe do të duhet të vendosim çka do të bëjmë. Ne para e gjithash nuk do të propozojmë që zgjidhja e këtillë të vijë në parlament. E dyta, edhe të propozojnë tjerët dhe Demokracia e Re dhe atëherë nuk do të votojmë. Dhe nëse duhet edhe në mënyrë tjetër ta bllokojmë procesin, do ta bëjmë këtë”, tha Kamenos.
Në pyetjen nëse kjo do të thotë edhe rënie të qeverisë aktuale greke, lideri i Grekëve të Pavarur sqaroi se që të ndodh kjo, do të duhet vendimi të jetë edhe i atij edhe i kryeministrit grek.
Kamenos, pikërisht për shkak të kërkesës për ndryshime kushtetuese, mendon se marrëveshje nuk do të ketë, e madje as pas zgjedhjeve në Greqi që rregullisht duhet do të mbahen në shtator të vitit të ardhshëm.
“Mendoj se çështja me emrin e Shkupit nuk do të vijë para zgjedhjeve, sepse nuk do të ketë ndryshim kushtetues në Shkup. Besojmë se nuk do të vijë as pas zgjedhjeve. Por, nëse vjen, unë jam i obliguar ta ndjek mandatin që e kam nga qytetarët. Edhe mandatin që Grekët e pavarur e kanë nga populli është asnjë përdorim i termit Maqedoni, për asnjë arsye dhe në asnjë mënyrë,. fund”, porositi ministri aktual i Mbrojtjes së Greqisë.
Në lidhje me deklaratën e kryeministrit grek dhe përdorimin e emrit “Maqedonia e Epërme” në konferencën për shtyp ditën e premte, në përgjigje të pyetjes së korrespondentes së MIA-s nga Brukseli, Kamenos thotë se ky është qëndrim i Ciprasit.
“Kryeministri beson në atë dhe publikisht e tha dhe lufton për atë që të gjindet zgjidhje me emrin e ndërlikuar në kuadër të marrëveshjes së Karamanlis nga Bukureshti. Mendimi im dhe mendimi i Grekëve të pavarur, edhe atëherë ishte i njëjtë dhe kjo është që të mos shfrytëzohet termi Maqedoni në të cilin do emër, nëse është E epërme, E re, Ish”, komentoi partneri i koalicionit në qeverinë greke.
Panos Kamenos në intervistë sqaroi se ai është ministër i Mbrojtjes në një qeveri të koalicionit, në të cilin secili ka linja të veta të kuqe.
“Kryeministri i respekton linjat tona të kuqe, unë i respektoj linjat e kuqe të kryeministrit”, shtoi Kamenos.
Burimi: MIA