Civili ua uron 8 Marsin ditën ndërkombëtare të gruas, të gjithë qytetareve dhe qytetarëve të Republikës së Maqedonisë dhe botës. Njëkohësisht, e alarmojmë opinionin se rënia e regjimit të Gruevskit nuk guxon të jetë edhe ngadalësim në luftën për barazi gjinore maksimale dhe respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut. Ekzistojnë edhe shumë sfida në këtë fushë, ndërsa në vetë fillimin, Qeveria e re nuk tregoi sensibilitet të mjaftueshëm për çështjet gjinore.
Vetëm katër nga 22 pozita ministrore në Qeveri, vetëm gjashtë nga 81 kryetarë komunash, ndërsa 43 nga 120 vende të deputetëve u takuan grave. Kjo nuk është e pranueshme! Qeveria, institucionet në nivel lokal dhe nacional, parlamenti dhe shoqëria në tërësi kanë obligim për përfaqësim të drejtë gjinor. Kjo ka të bëjë edhe me përfaqësimin e drejtë në funksionet përgjegjëse nga të cilat merren vendime për politikat dhe praktikat në nivel shtetëror dhe lokal.
Civili i rekomandon Qeverisë, para rikonstruimit të Qeverisë, të kujdeset më tepër për barazinë gjinore gjatë procesit, por edhe të mos ndalet aty.
Dhe në përgjithësi, Civili kërkon nga të gjitha partitë politike ta kuptojnë barazinë gjinore si një nga detyrat më të rëndësishme, të krijojnë politika sipas të cilave gratë do ta fitojnë vendin e merituar në të gjitha sferat në shoqëri dhe në shtet.
Pas dekadës së gjatë në të cilën gruaja ishte e përulur dhe e shndërruar në objekt dhe aparat për reproduksion, ka ardhur koha të kthehet dinjiteti i gruas dhe të gjithë, në mënyrë solidare, të angazhohemi për respektimin maksimal të të drejtave në Maqedoni.
Thirrjet për pjesëmarrjen e gruas në politikë, gjegjësisht institucioneve në pushtet me 30%, Civili i konsideron si defetistë dhe poshtëruese. Kërkojmë së paku 50 % përfaqësim të gruas në politikë dhe në institucionet shtetërore, sipas përfaqësimit të tyre në popullsinë e përgjithshme.
Mbrojtje e vazhdueshme sistemore institucionale dhe mbrojtje shoqërore e të drejtave të gruas, mbrojtja e saj e vërtetë nga mobingu, diskriminimi dhe dhuna familjare, masa vendimtare për ndëshkimin e shkeljes së të drejtave gjinore, janë imperativi i një shoqërie demokratike.
Roli dhe përfaqësimi i gruas nuk guxon të jetë deklarative, por thelbësore!