Me mbështetje të fuqishme nga ana e Ministrisë së Kulturës të Republikës së Maqedonisë ku mbi 30 për qind e buxhetit i është ndarë veprimtarëve shqiptarë në fushën e kulturës, pritet që ky të jetë viti i arritjeve të shumta për shqiptarët në kulturë, shkruan në faqen zyrtare të Facebook-ut, Sekretari i Ministrisë së Kulturës Valmir Aziri.
Ai përmend se një ndër projektet më të mëdha është krijimi i Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Shqipe në Shkup për të cilën janë ndarë 48 milionë denarë.
“Në të njëjtin, priten që të punësohen mbi 70 veprimtarë të kulturës shqiptare të cilët do të përfaqësojnë dhe kultivojnë denjësisht etnosin dhe vlerat tradicionale të kombit shqiptarë”, thotë Aziri.
Në vitin 2018, në mënyrë solemne do të hapen edhe dyert e Teatrit Shqiptar në Shkup për të cilin janë ndarë 250 milionë denarë. Është planifikuar edhe përfundimi i ndërtimit të teatrit dhe bibliotekës së Tetovës për të cilën janë alokuar 210 milionë denarë.
“Sa i përket sferës së investimeve kapitale, do të vazhdojnë punimet në Shtëpinë e Kulturës në Mateç për të cilin qëllim janë ndarë 36 milionë denarë. Gjithashtu një buxhet prej 2 milionë denarë, është ndarë edhe për Galerinë e Arteve në Tetovë që obori i saj të shtrohet me kalldërma e granit ashtu si edhe i takon. Mes tjerash, kemi edhe buxhetin prej 3 milionë denarësh që i ndahet Çifte Hamamit në Shkup për rregullimin e çatisë dhe ndriçimin e këtij insitucioni”, shton Aziri.
Në fushën e artit figurativ, shton Aziri, vlen të potencohet ekspozita e Anri Salës për të cilën janë ndarë 2 milionë denarë dhe që do të mbahet në Galerinë Kombëtare në Shkup si dhe ajo e Adem Kastratit. Gjithashtu edhe për koloninë ndërkombëtare artistike të Galerisë së Tetovës këtë vit ka një ngritje të katërfishtë të buxhetit.
“Përpos projekteve të lartpërmendura, 2018-shi do të sjellë edhe operën e parë shqiptare në Shkup, operën “Skëndërbeu” teksa në Filharmoninë e RM-së do të performojë edhe artisti i madh Shkëlzen Dolli”, citon Aziri.
Manifestime të tjera do të realizohen poashtu në kuadër të 550-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriot Skëndërbeut si dhe për 110 vjetorin e Kongresit të Manastirit ku vlen të theksohet se këtë vit bëhet edhe restaurimi i plotë i shtëpisë së Alfabetit të gjuhës shqipe.
Ndër manifestime të tjera përveç festivalit “Shkupi fest” dhe festivalit ndërkombëtar të dramës nacionale të Teatrit të Tetovës, është edhe festivali i poezisë “Ditët e Naimit” për të cilin janë ndarë 800 mijë denarë, festivali i Skenës së Muzikës Serioze Shqiptare organizuar nga “Alegreto” që mbështetet me mbi 3 milionë denarë gjithashtu edhe festivali “Këngë Jeho” buxheti i së cilit viteve të kaluara ka qenë minimal këtë vit mbështet trefishë, me 1 milionë denarë.
Si pjesë e projekteve të cilave u është vënë një theks i veçantë këtë vit është edhe fusha e botimeve, ku ky vit shënon edhe përqindje rekorde krahas viteve të kaluara, ku buxheti i ndarë për shqiptarët është mbi 33 për qind ose 25 milionë denarë.
Burimi: MIA
Përmbajtjet që i merr Civili nga burime tjera nuk i nënshtrohen licencës Creative Commons 1.0, e cila përndryshe është e zakonshme, për përmbajtjet të cilat i plason kjo platformë mediatike. Ju lutemi, konsultohuni me buruesit për marrje të përmbajtjeve të tilla.