Qeveria e Maqedonisë kumtoi dje se ndërmjetësuesi Methju Nimic ka propozuar katër opsione për emrin dhe ato nuk janë propozime të Maqedonisë.
Qeveria potencoi se kryeministri Zoran Zaev nuk ka deklaruar se Maqedonia ka dhënë katër propozime për zgjidhjen e kontestit rreth emrit me Greqinë, siç transmetoi agjencia Rojters.
Qeveria tregon për interpretim të gabuar në hyrjen e lajmit të Agjencisë për intervistën me kryeministrin Zaev, në të cilën theksohet se “Maqedonia ka propozuar katër mundësi për zgjidhjen e kontestit shumëvjeçar me Greqinë për emrin”.
“Opinioni në Maqedoni dhe në botë e di se këto janë propozime të ndërmjetësuesit Methju Nimic, i cili në emër të KB-së ndërmjetëson në negociatat mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë”, theksohet në përgënjeshtrimin e Qeverisë.
Shtohet se këto propozime ekzistojnë, siç ka deklaruar kryeministri Zaev, por këto nuk janë propozuar nga ana e Republikës së Maqedonisë.
Propozimet, të cilat sipas Rojtersit i ka theksuar Zaevi janë Republika Veriore e Maqedonisë, Republika e Epërme e Maqedonisë, Republika e Vardarit të Maqedonisë dhe Republika e Maqedonisë (Shkupi).
Siç publikoi Rojtersi, kryeministri Zaev ka theksuar se mbetet çështja nëse ekziston nevojë reale Maqedonia ta ndryshojë Kushtetutën, diçka që Greqia insiston periudhën e fundit, por Qeveria e sqaron edhe këtë pjesë nga transmetimi.
Lidhur me pjesët nga intervista e kryeministrit Zaev për Agjencinë Rojters e marrë nga ana e disa mediave të Maqedonisë dhe në të cilat transmetohet se “Republika e Maqedonisë është e gatshme të bëhen ndryshime të vogla me ermin në Kushtetutë”, kabineti i Zaevit kategorikisht pohon se kryeministri nuk ka shfaqur qëndrim të tillë në intervistë.
“Në vend të kësaj Zaevi në pyetjen e gazetarit të Rojtersit përgjigjet se RM-ja është e gatshme të bëjë ndryshim lidhur me emrin, por nuk mund të shkohet larg sepse kjo është shumë çështje e vështirë”, theksoi Qeveria.
Në vazhdim të negociatave në këtë temë kryeministri Zaev ka shtuar “mbetet çështje e hapur nëse ekziston nevojë e vërtetë për ndryshimin e Kushtetutës, diçka që Greqia e kërkon muajt e fundit”.
Në një intervistë për Euronjuz të dhënë paraprakisht, Zaev thotë se nuk ka nevojë për ndryshim të Kushtetutës së Maqedonisë.
“Nuk ka nevojë që të ndërrohet Kushtetuta, Kushtetuta është libër vendor dhe nuk ka pasoja jashtë vendit, thotë kryeministri Zaev. Lidhur me atë nëse identiteti është temë e negociatave, kryeministri i Maqedonisë u përgjigj negativisht. Thotë se nuk ekziston bisedë për identitetin, respektivisht për nacionalitetin, por ekziston paragraf për shtetësinë.
Zëdhënësi i Qeverisë greke, duke folur për televizionin grek “Alfa”, porositi se pozicionet dhe parakushtet greke janë të qarta, ndërsa vendi fqinj është ai që duhet të tregojë vullnet dhe disponim për marrëveshje, ndërsa në të kundërtën nuk do të ketë zgjidhje.
“Ne kemi treguar cilat janë parakushtet që të arrihet zgjidhje. Prej këtu, nëse fqinjët tanë kanë disponim dhe vullnet të shkojmë përpara, të drejtohemi drejt një zgjidhje reciproke të pranueshme, ne jemi të hapur dhe i kemi treguar këtë, nëse jo, nuk do të ketë zgjidhje”, tha Dimitris Xanakopulos, duke u përgjigjur në pyetjen për qëndrimet e kryeministrit të Maqedonisë.
Disa burime diplomatike greke për “To Vima” vlerësuan se është e nevojshme të jemi të kujdesshëm në pritjet për çështjen e emrit me Shkupin, duke e mbështetur këtë me qëndrimin e dallimeve midis të dyja palëve, për pika të caktuara të cilat ende janë të mëdha.
Sipas gazetës, në pengesat që vendosen janë edhe përmendja e shpeshtë e Kushtetutës nga kryeministri Zaev dhe qëndrimet se nuk ka nevojë për ndryshim sepse nuk ekziston as irredentizëm, as pretendime territoriale. Lidhur me emrin, gazeta shkruan se edhe krahas kësaj që Maqedonia e Epërme mbizotëron, ndërkaq, as kjo çështje nuk është mbyllur.
Pas protestave në Greqi, mbrëmë edhe në Shkup u mbajt marsh protestues në të cilin u kërkua ndërprerja e negociatave për emrin, ruajtja e identitetit të kombit, si dhe tërheqja e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, hedhja poshtë e marrëveshjes me Bullgarinë…
Todor Petrov, nga Kongresi Botëror Maqedonas në fjalimin e tij para protestuesve tha se maqedonasit propozojnë pajtim historik maqedonaso-grek dhe marrëveshje për paqe afatgjatë dhe fqinjësi të mirë.
“Ne hedhim poshtë referendumin, ndryshimin e Kushtetutës dhe ratifikimin e një traktati ndërkombëtar me qëllim të ndryshimit të emrit dhe identitetit të kombit. Një referendum i ri mbi emrin nuk do të jetë referendum për mbrojtje, por për ndryshimin e tij të përhershëm”, tha Petrov.
Nëse nuk plotësohen kërkesat, organizatorët e protestës do të kërkojnë shpërbërjen e Kuvendit dhe organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
Nga presidenti kërkuan amnistinë e të gjithë të arrestuarve dhe të burgosurve për ngjarjet në Kuvend më 27 prill, duke iu referuar nenit 11 të Ligjit për falje.
Protesta filloi para misionit të Unionit Evropian ndërsa përfundoi para Kuvendit të Republikës së Maqedonisë.
Burimi: MIA
Përmbajtjet që i merr Civili nga burime tjera nuk i nënshtrohen licencës Creative Commons 1.0, e cila përndryshe është e zakonshme, për përmbajtjet të cilat i plason kjo platformë mediatike. Ju lutemi, konsultohuni me buruesit për marrje të përmbajtjeve të tilla.