Komisioni Evropian do të rekomandojë fillim të bisedimeve me Maqedoninë dhe me Shqipërinë, duke përkrahur procesin e zgjerimit drejt Ballkanit Perëndimor, deklaroi eurokomisari për zgjerim Johanes Han.
“Komisioni Evropian së shpejti, ndoshta deri në fund të verës do të rekomandojë që vendet anëtare të fillojnë bisedimet me Shqipërinë dhe me Ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë. Besojmë se dy vendet në periudhën e kaluar kanë arritur të bëjnë reforma të rëndësishme dhe për atë janë kualifikuar për këtë hap”, thotë Han në intervistën për gazetën gjermane “Vi Velt”, transmeton MIA.
Për Maqedoninë theksohet se është kandidate për anëtarësim në BE që nga viti 2005 dhe bën përpjekje për zgjidhjen e çështjes të emrit me fqinjin e saj Greqinë që daton që nga shpallja e pavarësisë të vendit në vitin 1991. Ai përmend deklaratën e kancelares gjermane Angela Merkel të thënë dje pas takimit me kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev se zgjidhja e këtij kontesti “asnjëherë nuk ka qenë kaq afër”.
Ndërsa, Shqipëria, është kandidate për anëtarësim në BE nga viti 2014 dhe sipas Han “deri më tani ka bërë shumë përpjekje në luftën kundër krimit të organizuar.
Maqedonia dhe Shqipëria duhet t’i bashkangjiten Malit të Zi dhe Serbisë të cilët filluan bisedimet në vitin 2012, gjegjësisht në vitin 2014 dhe ka mundësi të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian më së shpejti në vitin 2025.
Komisioni Evropian më 17 prill duhet të publikojë raportin e progresit për shtetet kandidate në BE.
Burimi: MIA
Përmbajtjet që i merr Civili nga burime tjera nuk i nënshtrohen licencës Creative Commons 1.0, e cila përndryshe është e zakonshme, për përmbajtjet të cilat i plason kjo platformë mediatike. Ju lutemi, konsultohuni me buruesit për marrje të përmbajtjeve të tilla.