Lidhur me incidentet e djeshme në Kuvendin e Shqipërisë dhe protestën e dhunshme të opozitës sot u arrestuan 6 shtetas dhe procedohen 2 të tjerë në gjendje të lirë për veprime të dhunshme në protestë ndaj Policisë së Shtetit.
Sipas njoftimit të policisë shqiptare, edhe 10 deputetë procedohen në gjendje të lirë për prishje të rendit dhe kundërshtim të Policisë si dhe 1 shtetas procedohet për organizim dhe pjesëmarrje në tubime të paligjshme.
Arrestimi u bë pasi gjatë protestës së djeshme, zhvilluar në sheshin në hyrje të Kuvendit të Shqipërisë nga subjekti politik Partia Demokratike e Shqipërisë, personat e sipërcituar në mënyrë aktive kanë kryer veprime të dhunshme, si: hedhja e sendeve të forta në drejtim të punonjësve të Policisë, hedhja e materialeve piroteknike, si dhe kanë kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë në përmbushjen e detyrës.
Procedimi në gjendje të lirë i tyre u bërë pasi gjatë protestës kanë kryer veprime aktive në nxitjen e turmave dhe kanë ndihmuar me veprime aktive në prishjen e kordonit të Policisë, me qëllim hyrjen në ambjentet e brendshme të Kuvendit.
Gjatë seancës së djeshme për zgjedhjen e kryeprokurorit të Shqipërisë, në Kuvendin e Shqipërisë deputetët e opozitës hodhën tymuese, ndërsa para godinës së Kuvendit mbështetës të opozitës mbajtën protestë e cila eskaloi me trazira të cilat u ndaluan nga forcat e rendit shqiptar.
Si pasojë e veprimeve të dhunës nga personat e mësipërm, morën dëmtime të konsiderueshme trupore 6 punonjës të policisë shqiptare, të cilëve iu dha ndihma e parë dhe disa prej tyre vijojnë trajtimin mjekësor.
Burimi: MIA
Përmbajtjet që i merr Civili nga burime tjera nuk i nënshtrohen licencës Creative Commons 1.0, e cila përndryshe është e zakonshme, për përmbajtjet të cilat i plason kjo platformë mediatike. Ju lutemi, konsultohuni me buruesit për marrje të përmbajtjeve të tilla.