Shkruan: Sasho Ordanoski
[dropcap font=”arial” fontsize=”45″]D[/dropcap]erisa e kërkoja sustën e telepilotit e televizorit që ta rris zërin e adresimit të jashtëzakonshëm të presidentit Ivanov, adresimi mbaroi! Kështu që mbeta pa kuptuar personalisht se çfarë na kumtoi presidenti me rastin e zhvillimit më të ri në shtetin ligjor në Maqedoni, që sapo filloi të funksionojë.
Fillova të rrotulloj telefona nëpër miq – aman, çfarë tha Horhe, a do të ketë gjendje të jashtëzakonshme?!
Gruaja e njërit mik atë moment ka qenë duke e fryrë hundën, dhe deri sa e ka fryrë, edhe ai nuk ka mundur të dëgjojë asgjë nga adresimi, dhe pastaj kanë vazhduar të diskutojnë për divorcin…Tjetri më thotë se i biri i tij i ka treguar se fqinjës përmes skajpit i është paraqitur tezja nga Melburni, nipi i të cilës nga Ouklendi përmes viberit e ka pyetur nëse është e saktë që presidenti i Maqedonisë posa u ka uruar qytetarëve Vitin e Ri më 28 nëntor?!…U mendova. Ndoshta Horhe ka nxjerrë ndonjë kalendar antik dhe ka shpejtuar ta ndajë lajmin e gëzueshëm me popullin?
E, nga hera e tretë, një mik nga GROM, vazhdimisht i mobilizuar dhe i zgjuar, më thotë se në jetë nuk ka dëgjuar “lëshim nëpër ujë” më të shkurtë dhe më spektakolare të bashkëmendimtarëve politikë…”Si bre!?”..”E po ashtu: për dhunë, duhet të ketë përgjegjësi, e shtypi kazanin dhe shkoi e gjitha “tajfa” e Grujos në kanalizim! Kot u ngrimë para gjyqit 15 minuta me Stevçon. Ama, ai edhe mësohet pak me rrethin atje…”
Opaaa….uh, uh, uh.
Iu ktheva televizorit të shoh se çfarë po ndodh para gjyqit…Grujo, pasi është vonuar një orë në protestat, me njëqind veta rreth tij, pi çaj. U shpjegon se patjetër është dashur ta thotë atë, natën pas kthimit nga Vjena, pas rrëmujës në Kuvend, se dhunuesit duhet të përgjigjen. Reklama. Grujo është larguar, çaji është ftohur. Sanduiçe – jok. Flamuj – jok. Nuk ka, kjo është, u shkatërrua shteti.
Që të parandalohet sado pak ky shkatërrim, protestuesit do ta bllokojnë trafikun në Shkup. Kështu, të gjithë që punojnë në shkatërrimin, nuk do të munden të qarkullojnë me makina nëpër qytet që ta zbatojnë këtë plan të rrezikshëm. Tradhtarët do të duhet në këmbë ta shkatërrojnë Maqedoninë. Clever.
Mirë, kuptoj, u arrestuan zbatuesit dhe ndihmësit e tentimit për puç nga 27 prilli. Unë mendoj se deri në muajin shkurt, më së voni deri në mars, atyre do t’u bashkëngjitet edhe inspiratori. “Jo bre, Çavkovi është polic tërë jetën, nuk do të flasë, do të shohësh”, analizon një mik i informuar mirë, fqinj i policit nga stacioni në Gjorçe Petrov, të cilin në shoqërinë tonë me të drejtë e konsiderojmë si ekspert për çështje sigurie dhe ligjore. “Do të qelbet nëse duhet në burg, por Grujon nuk do ta tradhtojë!”
Pastaj e kërkova një mik nga reformatorët në VMRO dhe zhvilluam debat filozofik: Nëse shumica e anëtarëve nga Komiteti ekzekutiv i DPMNE shkon në burg, vallë vendimi për ndryshimin e Grujos nga funksioni i presidentit në parti do të ishte me vleftë ligjore? “Po – thotë reformisti – sepse votimi do të zbatohet në Idrizovë, ku KZ do të ketë kuorum, me prezencë të Grujos, ky vendim do të ketë rëndësi ekzekutive ligjore!”
Dhe, sipas historisë së gjatë të rebelimeve partiake, arrijmë deri te çështja më e komplikuar reformiste: Te cili do të jenë vulat partiake – te ata në Idrizovë ose të fshehura në ndonjë saksi në pallatin e bardhë partiak?…”Nuk ka lidhje, veç më kemi gdhendur duplikate nga patate, a edhe ne do ta dërgojmë vendimin në Regjistrin Qendror, Grujo do të jetë i ndaluar zyrtarisht!”
Breee, çfarë do të thotë shtet ligjor! Bukuri.