Shkruan: Sasho Ordanoski
[dropcap font=”arial” fontsize=”45″]NJ[/dropcap]ë nga pasojat e fitores bindëse të LSDM në zgjedhjet vendore është fakti se, në kuptim politik dhe psikologjik, tani ata e “posedojnë” vendimin për shpërbërjen e Kuvendit dhe shpalljen eventuale të zgjedhjeve të reja parlamentare. Kjo së shpejti do të jetë ashtu edhe në kuptim matematik, sepse është për t’u pritur se rreth dhjetë deputetë nga koalicioni opozitar i VMRO-DPMNE do të shprehin dëshirë për ndryshimin e “skuadrës” dhe për përshëndetje me humbësin Gruevski.
Me ide të tilla nuk do të dalin vetëm ata deputetë që nuk janë anëtarë të DPMNE, por nga rezultati i “analizave” dhe “sintezave” të cilat në një kuptim dialektik marksist i paralajmëroi Gruevski – që të mundësohet vlerësimi i ndikimit të ujërave gjeo-termale dhe periudhave me diell mbi ndryshimet tektonike në disponimin e votuesve në Maqedoni – do të varet edhe sjellja e një pjese të mirë të deputetëve të kësaj partie ndaj përkatësisë amë në Kuvend.
Por, mos harroni, ende nuk e kemi qartësuar “mitin për llogaritë” për deputetët e Gruevskit, gjegjësisht, me faktin nëse Familja, si çdo organizatë e mirë mafioze, përveç me mjete politike, besnikërinë e deputetëve ndaj tyre nuk e ka siguruar edhe me ndonjë “omertë” materiale, gjegjësisht me garanci të majme bankare që të mos nevojitet, pikërisht në situata si kjo, të merret me këndvështrimet morale dhe politike të çdo kokë të “deleve” të veta në “tufën” partiake në Kuvend.
“E pra, liria e ka çmimin e vet, të shohim se kush do të jetë i gatshëm ta paguajë!”, më thotë një reformator i nxehur nga ajo parti i cili paralajmëron iniciativë publike deri te prokuroria përkatëse për kontrollimin e të dhënave për këtë praktikë joligjore bankare në DPMNE. Në këtë parti, siç shihet, nuk do të shkohet në këmbim të qetë të pushtetit, e tani do të vërtetohet edhe nëse dimensionet e elevatorëve dhe të korridoreve të fshehta nëntokësore nën selinë kryesore të partisë – ky konvikt studentor i dhuruar reprezentativ- në qendrën e Shkupit janë planifikuar sipas dimensioneve të arkës partiake që duhet të manovrohet dhe të bartet në vend “rezervë” gruevist. Kushedi se sa fshehtësi të pista ( se atje para nuk do të gjinden) përmban ajo “ vijë e fundit e mbrojtjes” së Familjes nga rebelimi në radhët e veta.
Të flasim drejtë, Zaevi qartë dha në dije se në ardhmëri të afërt nuk planifikon shpërbërje të Kuvendit, dhe të shpall zgjedhje, sepse Maqedonia më në fund duhet të fillojë me punë, dhe jo vetëm të merret me politikë nga mëngjesi deri në mbrëmje, 365 ditë në vit. Sa për ilustrim: lista për reforma të domosdoshme në shtet është më e gjatë se lista e banesave dhe zyrave që i posedojnë kryetarët e komunave – në largim, dhe vetë kjo tregon se cili është vëllimi respektibil i punës që na pret.
Megjithatë, për përfundime definitive për qëndrueshmërinë e stabilitetit politik në Maqedoni pas zgjedhjeve lokale, rekomandohet të pritet edhe rezultati nga momenti i ri mes partive shqiptare. Kjo në masë të madhe do ta përcaktojë fatin politik të Besës, të dimensioneve të sqimës së Ziadin Selës, dhe të pozitave të Ali Ahmetit ndaj frakcioneve në partinë e tij. Dhe këtë “thes me brirë” Zaevi do të duhet disi ta menaxhojë, nëse dëshiron të sigurojë stabilitet relativ të qeverisë së tij për sfidat që na presin.
I shkreti Zaev, sa më lehtë e kishte deri sa ishte në opozitë: Grujo ishte përgjegjës për çdo gjë, e Zaevi vetëm për rrënimin e tij. Ec e kapja fundin tani!