CIVIL-i publikoi një intervistë me Ervan Fueren para pesë vitesh (2011), në revistën “ZGJIDHJE” RESHENIJA (fq. 116). ZGJIDHJE është projekt për kulturë politike dhe dialog, që CIVIL-i e zbatoi në periudhën 2010-2011. Ajo ishte mega-intervistë në të cilën Fuereja i tha qëndrimet e tij të mprehta dhe analizë të thellë mbi situatën politike në vend në të cilin ai kaloi pesë vite si diplomat i BE-së. Intervistën menjëherë e publikoi e përjavshmja e vetme e pavarur politike në vend “Fokus”, të cilën atëbotë e redaktonte Nikolla Mlladenov, që vdiq në një aksident misterioz trafiku në vitin 2013, gjatë zgjedhjeve skajshmërisht problematike.
Pas pesë vitesh, Fuere vlerëson se situata në vend është shumë më e keqe. Intervistën e bëmë në Shkup, më 6 maj 2016, si pjesë e aktiviteteve të PËRPARA! – projekt për vëzhgim të zgjedhjeve.
E.T. Ambasadori Ervan Fuere (1946), Irlandë, diplomat profesional i BE-së. Shef i Delegacionit të BE-së në Maqedoni, Slloveni, Afrikë Jugore dhe Meksikë. Diplomon në të drejtën qytetare në vitin 1967 dhe Juridik në 1968 në Universitetin e Dablinit. Ka diplomë për studime evropiane në Institutin Evropian në Nicë, 1969, asistent pasdiplomik në veprimtarinë hulumtuese në Institutin Maks Konstam në Bruksel, 1970-72. Ka Çmim nga Rendi i Shpresës së Mirë, klasi 2, Oficer i Lartë i Kryetarit jugoafrikan Nelson Mandela (1998).
Fuereja ka karrierë të pasur që ka zgjatur 38 vite në institucionet e BE-së në pozita të ndryshme dhe me përgjegjësi të larta, veçanërisht në sektorët e punëve të jashtme të BE-së. Tash Fuereja është bashkëpunëtor shkencor pranë Qendrës për Studime Evropiane Politike (QSEP).
Xhabir Deralla
Ekipi i CIVIL Media: Nikolla Ugrinovski, Dehran Muratov, Biljana Jordanovska
Ju ishit frymëzim për projektin tonë ZGJIDHJE (RESHENIJA) kushtuar kulturës politike, para pesë vitesh. Në atë kohë, në një intervistë për CIVIL-in, ju e përshkruajtët gjendjen e vendit me fjalët vijuese: këtu e keni këtë pushtet keqbërës, që e ilustron qasjen për atë se si të ndahet plaçka e posedimit të pushtetit me miqtë dhe këmbësorinë partiake, e jo si si pushtet t’u sjellë mirë të gjithë qytetarëve, pa marrë parasysh përcaktimin e tyre politik. Si është vlerësimi juaj për gjendjen në Maqedoni tash?
FUERE: Gjendja, për fat të keq, është shumë më e keqe dhe po qe se shikohet zhvillimi i gjendjeve në çdo sektor të shoqërisë, pa marrë parasysh se a bëhet fjalë për aspekt politik, ekonomik, kulturor apo arsimor, gjithçka është ndërmarrë nga ana e aparatusit të partisë në pushtet, interesi i vetëm i së cilës është ta uzurpojë pushtetin juridik të shtetit dhe ta imponojë pronësinë, ideologjinë e ngushtë partiake. Ne i pamë rrënjët e gjithë asaj, veçanërisht pas vitit 2008 me vendosmërinë e tyre etnonacionalistenë sjellje. Mirëpo, nuk kuptuam, të paktën unë nuk kuptova se sa keq u bë gjithë ajo, se ata nuk mundet t’i ndalojë në synimin për të imponuar kontroll dhe për ta përdorur pushtetin për ta manipuluar gjithë sistemin e për ta keqpërdorur interesin e qytetarëve të vendit në dobinë e tyre personale.
Ata e shohin shtetin si pronë të tyren.
Helmi, i mbjellë në çdo fushë, tashmë ka hyrë shumë thellë. Shumë njerëz, që kishin mundësi të ikin nga vendi, e bënë atë, sepse nuk shohin të ardhme, sidomos gjeneratat më të reja. Dhe vetëm me mashtrim arritën të gjenden aty ku janë tash, e për këtë duan zgjedhje, meqë janë të vetëdijshëm se me mashtrim prapë do të fitojnë.
Gjithashtu, kam ndjesi se bashkësia ndërkombëtare duhej të ishte më e fortë, duhej të kishte porosi më të fortë, veçanërisht nga BE-ja, sidomos pas 24 dhjetorit të vitit 2012, me qëllim që të mos përsërisin një gjë të tillë. Mirëpo, për fat të keq, u përballëm me dobësi, me mossukses për të vlerësuar krizën në Maqedoni.
Më kujtohet kur e shkrova dokumentin tim për politika për QSEP në vitin 2013 me titull “Maqedonia, vend krizash”, njerëzit e institucioneve të BE-së më thanë se po e teproj, por unë nuk po e teproja. Madje, edhe e nënçmova thellësinë e krizës, e tani po e shoh se ku jemi dhe më vjen mirë që përfundimisht edhe bashkësia ndërkombëtare me të vërtetë e kupton se çfarë aksioni duhet.
I përkrahët protestat e qytetarëve që kërkojnë demokraci e drejtësi me atë që ishit të pranishëm aty disa ditë. Çfarë do të bënit në vijim, po qe se ishit pjesë e organizatorëve dhe njerëzve që janë në rrugë? A mendoni se ky regjim, ashtu siç është, në mënyrë të qetë do të tërhiqet dhe do të lejojë demokracia dhe sundimi i së drejtës të kthehen në vend apo, megjithatë, prisni zhvillim tjetër të ngjarjeve?
FUERE: Duhet patjetër të shpresojmë se mençuria do të mbisundojë, por gjithsesi e dimë se njerëz të pakënaqur mund të ikin drejt masave të pakënaqura. Forca e ndjenjave të njerëzve që dolën në rrugë është diçka që ata tashmë nuk mund ta shpërfillin. U përpoqën, mendoj se mediumet e përkrahura nga pushteti madje fare as që i përmendin. Ata e mohojnë realitetin me atë që nuk pranojnë se njerëzit, mijëra njerëz, janë në rrugë çdo ditë për shkak se duan të jenë aty, duan të demonstrojnë dhe se tërësisht e hedhin poshtë partinë udhëheqëse dhe mënyrën se si ajo po manipulon me resurset e shtetit, mënyrën se si po i diskriminon qytetarët dhe po margjinalizon një numër të madh bashkësish, si dhe mënyrën se si partia e keqpërdori besimin e qytetarëve. Kjo po zgjat tashmë qe tri javë. Ua kam lakmi këtyre njerëzve. Dhe po ndiej se është me rëndësi t’u tregoj se unë dhe shumë miq të Maqedonisë i përkrahim këta njerëz. Shpresoj se kjo i detyroi pushtetin dhe partinë pushtetare të kuptojnë se duhet patjetër të bëjnë kompromis.
Ata duhet patjetër të bien dhe duhet të përballen me forcën e plotë të ligjit. Pikërisht për këtë, roli i Prokurorisë Speciale është goxha i madh. Për këtë arsye besoj se tani, me shtypjen e zmadhuar ndërkombëtare, do të tregojë se partia pushtetare duhet të bëjë hap, se nuk mund gjërat të mbeten të pandryshuara.
Gjithsesi, me përkrahje të protestave, ju u bëtë pjesë e “forcave të errëta, spiunëve të huaj, tradhtarëve” dhe një varg atributesh të tjera që të gjithë ne i bartim qe disa vjet…
FUERE: Është pikëlluese të shikohet gjithë kjo. Mirëpo, miqtë e Maqedonisë janë këtu për të ndihmuar. Ia kam thënë këtë shpeshherë kryeministrit se kritikat e mia për punën e partisë pushtetare nuk janë armiqësore, po miqësore. Dua të tregoj se kjo është e rëndësishme. Si vend anëtar, Maqedonia ka detyrë t’i ndjekë standardet themelore demokratike. Mirëpo, kuptohet se ata e hodhën poshtë gjithë atë dhe kur Kryetari i fali funksionarët e lartë, ai me atë rast e përmendi faktin se ka pasur raport kritik ndaj, siç e tha, përzierjes së diplomatëve.
Kjo tregon se partia pushtetare nuk e kupton konceptin e diplomacisë.
Ata e shohin gjithë këtë me aq arrogancë, që nuk kuptojnë se e gjithë bota e shikon Maqedoninë si shtet të dështuar, për fat të keq.
A mendoni se duhet të pajtohemi me datë fikse për zgjedhje? A është reale kërkesa – së pari për mbajtje të zgjedhjeve, pastaj edhe për datë për zgjedhje? Çka nëse zgjedhjet shtyhen me datë fikse dhe çka nëse mbahen më 5 qershor?
FUERE: Gjithsesi se mbajtja e zgjedhjeve më 5 qershor vetëm se do ta përkeqësonte e përthellonte krizën. Jam shumë i lumtur që kryesia holandeze e BE-së drejtoi letër, një letër shumë të fuqishme, në të cilën shumë qartë thuhet se nuk ka kushte për mbajtje zgjedhjesh të lira, të drejta e demokratike. Marrëveshja e Përzhinës, që u ndërmjetësua nga BE-ja dhe ShBA-ja në vitin e kaluar kishte disa elemente domethënëse pozitive, por një nga elementet e dobëta ishte fakti që data e zgjedhjeve u përherësua, ashtu siç konsideruan shumë prej nesh – ekspertët e pavarur.
Duhej të thoshin: “Së pari të bëhet e gjithë puna, e pastaj të caktohet data e zgjedhjeve.”
Tani jemi në situatë në të cilën zgjedhjet tashmë një herë u shtynë. Unë konsideroj se duhet sërish të shtyhen, po në mënyrë tjetër. Duhet të shtyhen ashtu që data do të caktohet kur do të përmbushen të gjitha kushtet, kur reformat mediatike vërtet do të zbatohen, kur lista zgjedhore në mënyrë të duhur do të pastrohet dhe kur në tërësi do të ndahen financat shtetërore prej atyre partiake. Po e shohim kryeministrin e mëparshëm se si po udhëton nëpër vend duke hapur projekte.
Me ç’para? A janë ato para qeveritare? Atëherë, ai nuk guxon ta bëjë atë!
Së këndejmi, e gjithë kjo duhet të shqyrtohet së bashku me çështjen e frikësimit të nëpunësve të administratës publike. Duhet të ndërmerren një numër i madh masash para se të mbahen zgjedhjeve të besueshme. Për shkak se ideja për këto zgjedhje të parakohshme ishte ata të sinjalizojnë një faqe të re për Maqedoninë, kthim të standardeve demokratike dhe kthim të besimit të qytetarëve, meqë zëri i tyre, në fakt, çon peshë. Mirëpo, me zgjedhje më 5 qershor me këso rrethanash, thjesht nuk do të arrihet qëllimi. Për këtë, BE-ja duhet patjetër të jetë konzistente dhe të thotë: Lërini të gjitha masat në vendin e vet, e pastaj vendosni!
A konsideroni se ekziston potencial për përfundim të dhunshëm? Ministria ruse e Punëve të Jashtme dhe partia pushtetare VMRO-DPMNE shpeshherë e përmendim skenarin ukrainas. Si e komentoni këtë? A po shtyp, në fakt, partia pushtetare për zhvillim të dhunshëm të ngjarjeve me qëllim të nxjerrjes nga përgjegjësia për krimin?
FUERE: Deklaratat e partisë pushtetare paraqesin mbjellje të frikës. Ata po përpiqen të krijojnë frikë te qytetarët dhe po sugjerojnë gjëra që mund vetëm të provokojnë, kurse ndoshta atë duan ta arrijnë. Pikërisht kjo është tragjedia e kësaj partie qeveritare. Ata me vjet po promoovojnë dhunë përmes politikave të tyre konfrontuese. Ishim dëshmitarë incidentesh që nuk e pasqyrojnë shoqërinë maqednase. Ajo është rezultat i politikave konfrontuese dhe në mënyrën se si ata po manipulojnë me njerëzit.
Dje pasdite (5 maj) u përkujtua vrasja e studentit të ri, një nga shumë shembujt e njerëzve që kishin përjetuar dhunë nga ky regjim. Mirëpo, duhet të kultivohet shpresa se shtypja e bashkësisë ndërkombëtare do të mbijetojë. Mendoj se shtypja po rritet gjithnjë e më tepër, për të parandaluar çfarëdo skenari dhune dhe se partisë pushtetare nuk do t’i lejohet një gjë e tillë.
Kuptohet, duke e pasur parasysh gjithë rrezikun, siç pamë në ngjarjet në Kumanovë në vitin e kaluar. Për shkak se, ekziston një gjë që, për fat të keq, e pamë në Maqedoni, por, në anën tjetër, dha shembull të mrekullueshëm (siç është Marrëveshja Kornizë e Ohrit që e pasqyron karakterin multietnik të vendit) për atë se bashkësi të ndryshme mund të punojnë së bashku. Politikat etno-nacionaliste të partisë pushtetare i forcuan tensionet ndërmjet bashkësive etnike.
U mahnita nga ajo që pashë në vitin e kaluar, pas ngjarjeve në Kumanovë, se si i tërë vendi u bashkua dhe e hodhi poshtë atë dhunë që ndodhi, i hodhi forcat e errëta për të cilat jam i sigurt se lidhen me individë të errët nga margjinat e shoqërisë, që ia mendojnë vetëm të keqen këtij vendi. Të gjitha bashkësitë etnike u bashkuan në një forcë të vetme që e hedh poshtë partinë pushtetare dhe politikat e saj. Jam i sigurt se në të gjendet shpëtimi i vendit. Shpresoj se do të gjejmë përfundim paqësor.
Megjithatë, do të duhet shumë kohë që sërish të kthehet besimi, të eliminohet frika që tani po mbretëron në shoqëri – për t’u dhënë fund ndarjeve të shoqërisë.
Kam një ndjenjë të fortë, që prej se fola me aq shumë njerëz dje pasdite përgjatë protestave #Protestoj (#Протестирам), për energjinë e stërmadhe që e kanë njerëzit që janë aty, meqë duan të jenë aty dhe besoj se partia pushtetare asnjëherë nuk mund ta dështojë atë forcë.
Përktheu nga maqedonishtja: Arsim Jonuzi