Tërheqje e faljes dhe shtyrje e zgjedhjeve – Zoran Zaev i shpalosi kushtet për pjesëmarrje në negociatat për zgjidhjen e krizës politike në Vjenë, të caktuara për të premten, 22 prill.
Në konferencën për shtyp sot, Zaev i paraqiti dy kushte themelore për pjesëmarrje në negociata dhe i shpalosi angazhimet e tija për protesta paqësore. Ai konfirmoi se LSDM-ja mbështet protestat pro-demokratike, por se organizatorë janë #Protestoj dhe se këto janë protesta të të gjithë qytetarëve të Maqedonisë. Ai e akuzoi pushtetin për shkelje të Marrëveshjes së Përzhinos dhe theksoi se ishte mu LSDM-ja partia e cila i përmbushi të gjitha detyrimet e ndërmarra nga Marrëveshja.
Këto pikëpamje të opozitës përkojnë me analizën dhe rekomandimet e CIVIL-it, i cili, bazuar në raportet e vëzhgimit afatgjatë që vazhdon prej janarit të vitit 2015, për më gjatë kohë tregon për faktin se nuk janë krijuar kushte për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të besueshme, se mediat janë nën kontroll të pushtetit dhe se shteti është i pushtuar nga partitë në pushtet.
Në kumtesën e djeshme, CIVIL kërkoi negociata në interes të qytetarëve, e jo për shpëtimin e politikanëve të diskredituar dhe të dyshuar për krim! Në këtë kuptim, CIVIL kërkoi përfshirjen e më shumë partive politike dhe përfaqësuesve të organizatave të shoqërisë civile, lëvizjeve dhe iniciativave për përfaqësim më të drejtpërdrejtë të interesave të qytetareve dhe qytetarëve të Republikës së Maqedonisë.