CIVIL – Qendra për Liri, në kuadër të projektit “Përpara!”, pas vizitës së Llozovës, Çashkës, Sveti Nikollës, Nagoriçit të Vjetër, Rankovcës dhe Kriva Pallankës, këtë javë vazhdon me fazën e dytë të edukimit dhe mobilizimit të qytetareve dhe qytetarëve për vëzhgues zgjedhorë.
Info-stenda me materiale informative dhe edukative për monitorim afatgjatë të procesit zgjedhor, për vëzhgimin e ditës së zgjedhjeve, si dhe për edukimin dhe ngritjen e vetëdijes publike për të drejtat e votuesve, sot do të jetë e vendosur te kalimi “Paleta”, në rrugën “Vasill Gllavinov” nga ora 12:00 deri në ora 13:00.
Të mërkurën, më 23 mars, info-stenda do të jetë e vendosur te platoja para Universitetit të UEJL në Çarshinë e Vjetër, në të njëjtin termin, prej orës 12:00 deri 13:00.
Aktivistët dhe përfaqësusesit të CIVIL-it do të jenë në dispozicion të qytetareve dhe qytetarëve për të gjitha informatat dhe pyetjet në lidhje me vëzhgimin zgjedhor, si dhe për t’i ndarë qëndrimet, mendimet dhe propozimet për tejkalimin e krizës politike dhe për të krijuar kushtet për zgjedhje të lira.
Në fazën e parë të projektit “Përpara!”, CIVIL realizoi komunikim me mbi 30.000 qytetare dhe qytetarë në tërë Maqedoninë dhe shpërndau mbi 11.000 copë të materialeve informuese dhe edukative, si dhe informacione për mundësinë për të qenë vëzhgues i zgjedhjeve.
Me qindra vëzhgues të akredituar, mbi 1.000 vëzhgues qytetar dhe ekip të spikatur të analistëve dhe ekspertëve, “Përpara!” është projekt për monitorimin afatgjatë të procesit zgjedhor, për vëzhgimin në ditën e zgjedhjeve, edukimin dhe ngritjen e vetëdijes publike për të drejtat e votuesve.
Projekti “Përpara!” zbatohet në mbarë vendin në 14 qendrat rajonale të CIVIL-it dhe është i financuar me fonde gjermane nga Pakti i Stabilitetit të Evropës Juglindore.