Me rastin e vendimit të KSHZ-së për të mos bërë kontroll të terrenit të raportimeve të qytetarëve për parregullsi në Listën Zgjedhore, CIVIL – Qendra për Liri, konsideron se “ajo që ishte më e rëndësishmja për fitimin e besimit në Listën Zgjedhore dhe në procesin zgjedhor në Maqedoni në përgjithësi, kontrolli në terren – nuk pati sukses, nuk kaloi dhe vlerësojmë se kjo do të jetë një njollë, njollë seriozë në tërë procesin. Mjeti ishte i mirë. Ai ua mundësoi një numri të madh të qytetareve dhe qytetarëve t’i raportojnë padrejtësitë në Listën Zgjedhore, të cilat tregojnë – sa për kundërvajtjet, aq edhe për vepra të mundshme kriminale për të cilat ka hetime të duhura.
Shikojmë se ai impuls fillestar, ajo shpresë fillestare, ishte e shkurtuar dhe se, thjeshtë, tash nuk kemi kushte në të cilat do të mundemi deri në fund të kemi besim në procesin zgjedhor, në përgjithësi, e veçanërisht në Listën Zgjedhore.
CIVIL prapseprap, shpreson se anëtarët e KSHZ-së, duke pasur parasysh kapacitetin ekspert të tyre, do të gjejnë ndonjë zgjidhje që ta kompensojnë dëmin që në këtë moment po bëhet me këtë vendim”.
Anëtarët e Komisionit Shtetëror Zgjedhor dje njëzëri kanë votuar udhëzimin për kontrollimin në terren të Listës Zgjedhore, por raportet prej qytetarëve të revoltuar për parregullsitë e shumënumërta dhe kaosin që sundon në listë, përsëri, nuk do të merren parasysh gjatë përcaktimit të udhëzimeve! Shumica e anëtarëve të KSHZ-së nuk e kanë pranuar propozimin e Igor Milevit – që kontrolli në terren të bëhet edhe nga raportet e qytetarëve, (që me kusht që qytetarët të paraqesin edhe dokumentacion si dëshmi e përkrahu edhe Bedredin Ibrahimi), dhe kështu, këto 3.000 raportime për parregullsi nga qytetarët, përmes aplikacionit të Internetit, nga tv cilat Komisioni ka shqyrtuar vetëm 683, do të mbesin vetëm si pjesë e folklorit zgjedhor në një shtet si Maqedonia, ku me të vërtetë, është e mundur çdo gjë dhe asgjë më nuk i befason vdekatarët e thjeshtë.
Në KSHZ zgjasin kontrollet e kryqëzuara të bazave nga të dhënave nga institucionet e ndryshme, ndërsa Komisioni paralajmëroi se ekziston mundësi që rezultatet e para të shpallen gjatë fundjavës.
Pastaj, do të vijojë kontrolli në terren për çështjet problematike që do të dalin nga kontrollet e kryqëzuara, por jo dhe nga paraqitjet e qytetarëve.
Ministria e Punëve të Brendshme do të formojë një grup punues në nivel shtetëror dhe tеtë grupe në nivel lokale, të cilat çdo ditë do t’u përgjigjen kërkesave të KSHZ-së dhe pyetjeve lidhur me zgjedhjet e parakohshme parlamentare të caktuara për 5 qershor. LSDM, nga ana tjetër, hapi linjën telefonike (02/3293-109), në të cilën qytetarët kanë raportuar nnjë umër të parregullsive në Listën Zgjedhore, ku për vetëm një ditë janë raportuar shumë raste -750 raste të votuesve-fantazma në adresat e banimit të qytetarëve, 47 – banesa që nuk ekzistojnë, 14 – hyrje që nuk ekzistojnë, 112 – qytetarë të shpërngulur, 7 raste – votues të regjistruar në adresa të hapësirave të institucioneve shtetërore apo objekteve afariste.
Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev deklaroi se shpreson se Komisioni Shtetëror Zgjedhor do të ketë kohë të mjaftueshme ta pastrojë Listën Zgjedhore dhe të sigurojë zgjedhje fer, si dhe potencoi se pret “më shumë se 100 mijë të dhëna të dyshimta ose të ashtuquajtura të dhëna jokonzistente nga vetë bazat e të dhënave”.
Sipas VMRO DPMNE-së në pushtet, bëhet fjalë për skenar të ri për shpëtim të udhëheqësisë së LSDM-së – alibi për shtyrjen e zgjedhjeve, për ikje nga zgjedhjet ose për mospranim të rezultateve të zgjedhjeve.
Kryetari i VMRO DPMNE-së, Nikolla Gruevski, deklaroi se LSDM tenton artificialisht të krijojë përfytyrim se ekziston kaos dhe parregullsi në Listën Zgjedhore.
Ai pohon se votuesit në zgjedhje janë të gjithë persona që kanë nënshtetësi, e jo ata që jetojnë “në këtë apo në atë adresë”, si dhe që “vepër penale do të ishte nëse një person voton në dy vende, ndërsa në këtë rast, nuk kemi kësisoj situate, vetëm kemi shpërngulje të ndonjë qytetari nga një vend në vend tjetër, por që nuk ka lajmëruar adresën në MPB, shpeshherë ngaqë edhe nuk e ka ditur që duhet të lajmërohet”.