CIVIL – Qendra për Liri mbajti debat publik në hotelin “Siti Park” në Shkup, me pjesëmarrje të partive politike që nuk janë pjesë e bisedimeve për tejkalimin e krizës politike, të cilat zhvilluan diskutim të begatshëm dhe polemizuan për shkaqet të cilat për një dekadë të plotë po e shtyjnë Maqedoninë në qorr-sokak.
Në debatin “Pluralizmi dhe kriza politike” morën pjesë 11 liderë ose përfaqësues të lartë të partive politike dhe iniciativave politike, ndërsa të pranishëm ishin edhe aktivistë të organizatave politike, diplomatë dhe përfaqësues të pesë ambasadave, si dhe përfaqësues të medieve.
Petrit Saraçini si moderator i ngjarjes i CIVIL-it tha se duhet patjetër të dëgjohet qëndrimi i gjithë shoqërisë dhe se synimi është të dëgjohen mendime të ndryshme edhe prej partive që nuk janë të përfshira në Marrëveshjes së Përzhinës, për tejkalimin e krizës politike.
Xhabir Deralla theksoi se për CIVIL-in nuk ka parti të vogla dhe se të gjitha partitë politike, organizatat qytetare, qytetaret e qytetarët kanë të drejtë të japin kontributin e tyre drejt zgjidhjes së krizës politike. Ai shtoi se marrëveshja për tejkalimin e krizës politike jo vetëm që nuk respektohet, po në vazhdimësi po thyhet. Gjendja në terren është më e keqe se para nënshkrimit të marrëveshjes, që është larg prej krijimit të kushteve për mbajtje të zgjedhjeve të lira.
Sipas Sinisha Stankoviqit, redaktor i CIVIL Media, mediet në Maqedoni janë nën kontroll të madh të pushtetit: “Do të luftojmë edhe më tej që mediet të dalin nga përqafimi i çeliktë i shtetit të partizuar përmes produksionit tonë në internet, edhe, nëse duhet, siç kemi bërë deri tash, me “lajme të drejtpërdrejta”, në takime të drejtpërdrejta me qytetarë nëpër sheshe të qyteteve të Maqedonisë.
Pas paraqitjeve të përfaqësuesve të CIVIL-it, debatin e filloi Liljana Popovska nga Përtëritja Demokratike e Maqedonisë (DOM), sipas së cilës, shpërbërja e parlamentit paraqet goditje ndaj marrëveshjes për tejkalim të krizës politike. “Kërkuam kyçje të gjerë të të gjitha partive e organizatave qytetare, po zëri ynë nuk u respektua”, tha Popovska.
Vlera Ejupi nga Lëvizja për Reforma në PDSh bëri thirrje të ndërpritet me imponimin e autoritetit përmes dhunës. Ajo theksoi se sistemi arsimor bëri militantë partiakë dhe po i shkatërron të rinjtë: “Fjala liri është fjalë e shenjtë. Ne nuk kemi liri”, tha Ejupi.
Janko Baçevi nga Lëvizja Popullore e Maqedonisë foli për mangësitë e Kodit Zgjedhor të reviduar. Ai theksoi se kryeministri i mëparshëm Nikolla Gruevski dhe lideri i opozitës Zoran Zaev po i mashtrojnë qytetarët dhe se kanë futur dispozita në atë kod që janë katastrofale për partitë më të vogla. “Nuk ka pse të shqetësohemi për opozitën, por duhet ta zhbëjmë sistemin dypartiak që po mbretëron në Maqedoni”, konsideron Baçevi.
Faton Aliti nga Partia për Prosperitet Demokratik deklaroi se Maqedonia gjendet në krizë të thellë ekonomike, sociale e politike.“Marrëveshja e Përzhinës do të sigurojë vetëm kushtet minimale për zgjedhja të drejta dhe demokratike, po zgjedhjet nuk do të jenë fitore për askënd”, tha Aliti.
Safet Bishevac nga Liga e dikurshme e Sanxhakut akuzoi se partia e boshnjakëve që koalicionon me VMRO-DPMNE-në është vetëm një vasal, dhe se partive të tilla rëndom u jepen disa vende pune për shkak të statusit të tyre e nje të dëgjueshmi. Ai lajmëroi se, po qe se nuk zgjidhet kriza politike përmes dialogut, qytetarëve u mbetet demokracinë dhe kushtet për zgjedhje të drejta e demokratike t’i kërkojnë përmes protestave. “Duhet patjetër të bëjmë presion mbi establishmentin aktual politik për shtyerje të zgjedhjeve, me protesta”, tha Bishevaci.
Samka Ibraimovski nga Partia për Emancipim të Tërësishëm të Romëve pohon se romët janë bashkësia më e keqpërdorur në Republikën e Maqedonisë. Ai thotë se zgjedhje mund të ketë vetëm nëse do të ketë regjistrim të popullsisë dhe se për Maqedoninë më mirë është të ketë një njësi zgjedhore.“Propozoj të merren kartelat për sigurim shëndetësor dhe në bazë të tyre të bëhet Listë Zgjedhore”, tha Ibraimovski.
Zdravko Saveski nga E Majta, parti në formim e sipër, konsideron se Marrëveshja e Përzhinës ofron vetëm minimumin për kthimin e demokracisë. “Ne duhet të këmbëngulim pët zgjedhje absolutisht të lira. Duhet patjetër të këmbëngulet për zgjedhje absolutisht demokratike dhe pluralizëm, ndërsa pushteti të ketë ndjesi për kritikë”, tha Savevski.
Afrim Gashi nga Lëvizja Besa tha se në Maqedoni vazhdimisht po gjenerohen kriza të reja. “Vazhdimisht po na përsëriten krizat. Maqedonia është shtet jofunksional që nuk i shërben qytetarit”, tha Gashi.
Marjan Ognenovski nga Të Bashkuar për Maqedoninë bëri thirrje për bashkim etnik për shkatërrimin e regjimit të Gruevskit.“Ne kemi një synim – duhet të rritemi e të bashkohemi etnikisht”, tha Ognenovski.
Zylfi Adili nga Uniteti paralajmëroi humbje të besimit te shqiptarët në institucionet e shtetit. Duhet patjetër ta tejkalojmë periudhën kur thërritej zëshëm “Oda gazi për ‘shiptarët’”, tha Adili. “Gjeneratat më të reja po ikin nga Maqedonia për shkak se kemi pushtet që ështv mbi Kushtetutën, institucionet dhe shtetin.”
Ivon Veliçkovski nga Partia Liberale tha se materialet e CIVIL-it përputhen me analizat e partisë së tij. Ai theksoi se u duhet ndihmë prej qytetarëve për shtyerje të datës së zgjedhjeve, në mënyrë që pas zgjedhjeve të mos mendojmë sërish – për zgjedhje. “Zgjedhjet duhet të mbahen një ditë – për të mbaruar kjo krizë. Pa zgjedhje të lira, kriza do të vazhdojë. Duhet resetim të sistemit”, tha Veliçkovski.
Derisa zgjati debati, qytetarët parashtronin pyetje në Tuiter duke e përdorur hashtagun #CIVILevent.
Një nga pyetjet që iu parashtrua përfaqësuesve të partive politike ishte: Si mendoni t’i tërheqni të rinjtë pranë vetes?
Ndaj kësaj pyetjeje të gjithë pjesëmarrësit dhanë përgjigjet e veta, të cilat në vazhdim po i parafrazojmë.
Veliçkovski: Në vend që t’i tërheqim pranë vetes, ne ofrojmë platformë në të cilat ata do të munden t’i adresojnë e t’i paraqesin interesat e veta.
Gashi: Ne jemi parti që udhëhiqet nga të rinjtë.
Bishevac: Edhe të rinjtë, edhe të vjetrit e kanë problemin e njëjtë. Të rinjtë po shpërngulen.
Ejupi: Ne kemi problem me njohje të mirëfilltë reciproke. Universiteti në Tetovë është shkatërruar në vitet e fundit.
Adili: Ne ne statutin tonë kemi qëndrim se më së paku 30% prej anëtarëve të udhëheqësisë duhet të jenë të rinj… Të gjitha bashkësitë etnike duhet të kërkojnë përgjigje prej institucioneve shtetërore se çfarë bëjnë për të rinjtë.
Saveski: Të rinjtë e kanë humbur shpresën. Ata nuk po ikin nga vendi jo vetëm për shkak të mospasjes vend pune, por edhe pse shoqëria nuk po u jep asfarë mundësie për zhvillim.
Liderët dhe përfaqësuesit e partive u përgjigjen edhe në pyetjen e gazetarëve: A mund të pritet rritje të bllokut të partive politike që janë kundër pushtetit dhe eventualisht ndonjë koalicion më i fortë?
Adili: Patjetër duhet të punojmë me të rinjtë për të mësuar se dallimet janë vlerë. Ideja për rritje është e mirë dhe e duhur.
Bishevac: Unë pajtohem me idenë e versionit maqedonas të DOS-it (opozita serbe ne kohen e Millosheviqit).
Ognenovski: Ne kemi një synim. Duhet të rritemi dhe të bashkohemi multietnikisht.
Popovska: Ne jemi duke u përgatitur për zgjedhje që prej zgjedhjeve të vitit 2013. Është e natyrshme të gjithë të duan të shkojnë mëvetësisht në zgjedhje. Ne më 7 shkurt do të paraqitemi me Programin tonë. Mirëpo, po qe se lind nevoja për rritje, ne do të bashkëngjiteshim. Kusht duhet të jetë edhe një ndryshim shtesë në Kodin Zgjedhor dhe pjesëmarrje e barabartë e grave në politikë.
Adili: Gruevski dhe Zaevi duhet të punojnë në parandalimin e fatkeqësive të shqiptarëve.
Veliçkovski: Ne parashohim ndryshime edhe në Kushtetutë që do të paraqitnin barabarësi të mirëfilltë. Nëse e dimë synimin, urdhëroni, le të bisedojmë. Le të fillojë ajo bisedë prej këtu.
Gashi: Ky regjim duhet patjetër të bjerë. Nëse bashkohemi, hapi i parë duhet të jetë rrënimi i këtij sistemi, kurse i dyti është të merremi vesh se çfarë Maqedonie duam.
Savevski: Beteja për lir nuk mund të jetë e monopolizuar. Te të rinjtë ka zhgënjim të madh dhe mosbesim te partitë.
Ibraimovski: Nevojitet Maqedonia të bëhet me një njësi zgjedhore.
Në pyetjen në Tuiter se a janë mediumet të drejta ndaj partive “të vogla”, të cilën moderatori Saraçini e plotësoi me pyetjen – “si të ndryshohet qëndrimi i medieve ndaj tyre?”, pjesëmarrësit kishin shumë propozime dhe qëndrime interesante.
Aliti e përkrahu propozimin e Piter Vanhautes për mediumet; Bishevaci propozoi servisi publik RTVM çdo natë të organizojë debate në të cilat do të merrnin pjesë të gjitha partitë; Ognenovski propozoi themelim të një televizioni për shkakun se lojtarët më të vegjël të skenës politike vështirë se do të mund të marrin hapësirë në mediumet komerciale; Ibraimovski akuzoi se mediumet po e shpërfillin partinë e tij; Popovska konsideron se koha në mediume duhet të ndahet sipas Kodit zgjedhor, por edhe përmes çlirimit të mediumeve.
Veliçkovski potencoi se po qe se bëhet koalicion – mund të merren më shumë se 100.000 votues, që asnjë medium nuk mund ta anashkalojë. Për Gashin, Maqedonia po jeton në errësirë informative, kurse Adili konsideron se në Maqedoni po bëhet biznes klasik, në kohën kur mediumet nuk po e luajnë rolin e tyre. Saveski theksoi se nuk mundet të kufizohet zgjedhja e drejtorit të RTVM-së vetëm te deputetët, po duhet patjetër të kyçet edhe i gjithë opinioni publik dhe faktorë të tjerë.
Dehran Muratov