Nga 50.000 në 200.000 të pranishëm, nga “zero denarë” në 5,53 milionë euro, nga pensionet te turizmi dhe rekordet ekonomike evropiane – skena politike është shndërruar në një garë shifrash. Por pas kësaj zhurme mbetet një pyetje shumë më e rëndësishme: a u ofrohet qytetarëve një alternativë politike, dhe çfarë alternative?
Xhabir Deralla
Lufta e shifrave vazhdon.
Kryeministri Hristijan Mickoski pretendoi se festimi i 35-vjetorit të pavarësisë u kushtoi qytetarëve dhe Buxhetit të shtetit “zero denarë”. Vetëm një ditë më vonë, nën presionin e opinionit publik, Qeveria njoftoi se manifestimet kushtuan rreth 5,53 milionë euro: 300 milionë denarë nga fitimi i pashpërndarë i Lotarisë Shtetërore dhe rreth 40 milionë denarë të tjerë nga kompani private.
Çështja nëse paratë e një kompanie në pronësi shtetërore konsiderohen formalisht fonde buxhetore nuk e ndryshon thelbin. Bëhet fjalë për mjete të një kompanie shtetërore, për përdorimin e të cilave publiku ka të drejtë të kërkojë llogaridhënie të plotë.
Pastaj erdhi shifra e radhës. Mickoski flet për mbi 200.000 qytetarë në festim, ndërsa vetë David Guetta, në një postim nga Shkupi, përmendi 50.000 fansa.
Një betejë e ngjashme me shifra dhe statistika prej kohësh zhvillohet edhe rreth pensioneve, rritjes ekonomike dhe turizmit. LSDM-ja përgjigjet me komunikata, konferenca për shtyp dhe kualifikime të ashpra, duke pretenduar se statistikat e qeverisë nuk kanë lidhje me jetën reale të qytetarëve.
Demaskimi i shifrave të pasakta, manipuluese ose të përdorura në mënyrë selektive është i domosdoshëm. Pushteti duhet të kontrollohet dhe çdo denar i shpenzuar duhet të jetë i verifikueshëm. Por politika nuk mund të fillojë dhe të përfundojë me qëndrimin: “Mickoski gënjeu përsëri”. Këtë mund – dhe duhet – ta bëjnë mediat dhe organizatat qytetare që punojnë në fushën e demokracisë dhe transparencës. Natyrisht, kjo është detyrë edhe e politikanëve. Por për ta ekziston një “por” e madhe – gara politike nuk fitohet vetëm duke demaskuar kundërshtarin.
Pushteti ka fuqinë, institucionet dhe një makineri të madhe propagandistike. Nëse opozita vazhdimisht vetëm reagon ndaj agjendës së tij ditore, atëherë pikërisht pushteti vazhdon t’i përcaktojë temat, ritmin dhe terrenin e betejës politike.
Vendit nuk i duhet vetëm një demant më i mirë. I duhet një ofertë më e mirë – reale, e bazuar në ide, vlera dhe programe konkrete, mjaftueshëm e qartë dhe bindëse që qytetarët ta njohin si një alternativë të vërtetë.
Një vendi të ndarë thellësisht edhe mbi baza etnike nuk i duhet edhe më shumë nacionalizëm. Nacionalizmi, nga cilado anë që vjen, nuk mund të jetë formulë fituese për të ardhmen – ai vetëm mund t’i thellojë ndarjet, të sjellë edhe më shumë çrregullim dhe, në fund, të krijojë kushte edhe për dhunë.
Vendit i duhen edhe qytetarë më të informuar, të cilët dinë ta dallojnë gënjeshtrën nga e vërteta, por edhe një hapësirë publike ku gënjeshtra ka një çmim politik dhe moral, ndërsa e vërteta vlerësohet si parakusht për zhvillimin demokratik. Përgjegjësi kanë edhe mediat, edhe shoqëria civile. Një pjesë të përgjegjësisë e mban edhe bashkësia ndërkombëtare, me politikën e saj shpesh akomoduese dhe stabilokratike. Të gjithë kanë pjesën e tyre në formësimin e mjedisit në të cilin zhvillohet kjo garë politike e vrazhdë, jodemokratike dhe shkatërruese.
Në të kundërt, lufta e shifrave do të vazhdojë. Dhe një pushtet i tillë, edhe kur humbet përballë fakteve, do të vazhdojë të fitojë në politikë.

