Për qytetarinë e rreme, hierarkinë e përkatësisë dhe të drejtën e të gjitha komuniteteve për të qenë të dukshme, të njohura dhe të barabarta
Shkuran: Xhabir Deralla
Nuk është e panjohur, por duhet përsëritur vazhdimisht: shoqëritë ballkanike vuajnë nga ndarje të thella etnike. Për elitat politike, këto ndarje nuk janë problem që duhet zgjidhur, por resurs që duhet shfrytëzuar. Përmes manipulimit, polarizimit dhe thellimit të frikës, ato mbeten aktuale, e fitojnë pushtetin ose e mbajnë atë.
Nga ana tjetër, në qarqet akademike, civile dhe mediatike, madje edhe tek ato që paraqiten si progresive, proceset që lidhen me përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnike dhe kohezionin social shpesh mbeten në plan të dytë. Ose, mbyten në narrativa, fraza boshe dhe teorizime që kanë pak lidhje me realitetin. Në fakt, ato i ikin thelbit përmes debateve abstrakte, botimeve dhe projekteve diplomatikisht të rehatshme dhe politikisht korrekte, por krejtësisht sipërfaqësore. Dhe në vend që t’i sfidojnë strukturat nacionaliste, ato shpesh u shërbejnë si paravan, përkatësisht sigurojnë prova se “diçka po bëhet”, ndërkohë që problemet thelbësore mbeten të paprekura.
Kjo është një shënim mbi pozicionet themelore nga të cilat duhet të niset çdo debat serioz për shtetin qytetar, të drejtat etnike, barazinë dhe të ardhmen e përbashkët. Nuk bazohet në teori, por në dëshmi të gjalla nga përditshmëria e rëndë e qytetareve dhe qytetarëve nga të gjitha komunitetet që e ndajnë këtë shtet të vogël, të brishtë dhe të përbashkët.
Kur thuhet se Maqedonia e Veriut duhet të jetë shtet qytetar, ndërsa njëkohësisht bëhet thirrje “mjaft më me çështjet etnike”, në të vërtetë bëhet një zëvendësim i rrezikshëm i tezave.
Si kështu?
Shteti qytetar nuk nënkupton një shtet në të cilin identitetet etnike, gjuhësore, kulturore ose fetare shtypen në emër të një “kombi individësh” abstrakt. Përkundrazi. Shteti i vërtetë qytetar është pikërisht ai që i garanton të drejtat e të gjitha qytetareve dhe qytetarëve — edhe si individë, edhe si pjesëtarë të komuniteteve.
Maqedonia e Veriut, sipas Kushtetutës, është shtet qytetar dhe social. Por ajo është edhe shoqëri multietnike, multikonfesionale dhe multikulturore. Këto dy gjëra nuk janë të kundërta. Përkundrazi, ato janë kusht për njëra-tjetrën.
Dhe këtu duhet bërë edhe një dallim i rëndësishëm. Ndërtimi i kombit — nëse e përdorim fare këtë nocion në kuptimin bashkëkohor dhe demokratik — nuk do të thotë fshirje e dallimeve. Nuk do të thotë shkrirje e identiteteve të ndryshme në një kallëp dominues etnik, kulturor ose gjuhësor.
Në një shtet qytetar, bartës të shtetësisë janë qytetaret dhe qytetarët. Ata e përbëjnë bashkësinë politike të shtetit. Por kjo bashkësi politike nuk guxon të përdoret si arsyetim për imponimin e karakterit etnik të një komuniteti mbi të gjithë të tjerët.
Me fjalë të tjera, shteti qytetar nuk është dhe nuk guxon të jetë një paravan i përshtatshëm i shumicës etnike. Ai është shtëpi e përbashkët politike e të gjitha qytetareve dhe qytetarëve.
Prandaj, thirrja për “ndërtim kombi” bëhet problematike në momentin kur nën këtë nocion nënkuptohet asimilim i heshtur, relativizim i të drejtave etnike ose presion që dallimet të tërhiqen nga hapësira publike. Një “ndërtim kombi” i tillë nuk është projekt qytetar. Është projekt dominimi, i mbrojtur me fjalor politik të respektueshëm, për të mbetur nën radarin e bashkësisë ndërkombëtare dhe të së drejtës ndërkombëtare, por edhe për të tërhequr ndonjë grant milionësh për “avancim”.
Ndërtimi i vërtetë i një shteti të përbashkët nuk kërkon nga njerëzit të heqin dorë nga ajo që janë. Përkundrazi, kërkon që shteti të jetë i drejtë, i gjerë dhe demokratik, në mënyrë që të gjithë të mund t’i përkasin atij pa frikë se identiteti i tyre do të trajtohet si pengesë.
Prandaj, kur disa “demokratë të shqetësuar” thërrasin: “Mjaft më me të drejtat etnike, të ndërtojmë shtet qytetar”, ata nuk ofrojnë koncept qytetar. Ofrojnë nacionalizëm, të fshehur pas fjalorit qytetar. Jo edhe aq me sukses, në fakt.
Një qasje e tillë nënkupton se dikush nga pozita e pushtetit vendos se cilat të drejta janë “vërtet qytetare”, e cilat janë “tepër etnike”. Ky është problem. Thelbësor. Sepse në momentin kur dikush fillon të përzgjedhë se cilat të drejta të njeriut meritojnë debat publik, mbrojtje institucionale dhe vëmendje politike, ai nuk flet më për shtet qytetar, por për një shtet në të cilin shumica e përcakton kufirin e lirisë.
Dhe ky nuk është koncept qytetar. Është hierarki.
Në një kornizë të tillë, të ngushtë deri në mbytje, qytetaret dhe qytetarët — shqiptarët, turqit, romët, boshnjakët, serbët, vllehët, kroatët, hebrenjtë, bullgarët dhe të tjerët — privohen nga e drejta që vetë të thonë se cilat çështje janë të rëndësishme për barazinë, dinjitetin dhe përkatësinë e tyre në shtet. Me fjalë të tjera, ata janë të barabartë vetëm në letër, ndërsa në realitet trajtohen si “më pak të barabartë se të barabartët”. Kështu normalizohet narrativa sipas së cilës një shqiptar “nuk ka të drejtë” të përfaqësojë interesat shtetërore të vendit. Ose, sipas së njëjtës logjikë, nëse dikush nuk është maqedonas etnik, atëherë nuk ka të drejtë të shkruajë, të flasë apo të debatojë për nevojën e përfshirjes së bullgarëve — ose të cilitdo komunitet tjetër — në Kushtetutë.
Kjo është baza e problemit.
Pas gjuhës formale të barazisë fshihet një hierarki joformale e përkatësisë. Disa konsiderohen si bartësit “natyrorë” të shtetit, ndërsa të tjerët si mysafirë të cilëve u lejohet të flasin vetëm për çështjet “e tyre” etnike. Madje edhe atë — vetëm kur u lejohet.
Kjo hierarki është fuqishëm e pranishme në gjuhë dhe në zakonet publike, por nuk mbetet vetëm aty. Ajo pasqyrohet edhe në rendin institucional që përcakton se kush është i dukshëm, kush është i njohur, kush është i emërtuar, dhe kush mbetet në margjinat e bashkësisë kushtetuese dhe politike.
Në vend ekzistojnë edhe komunitete që ende nuk janë përfshirë në mënyrë eksplicite në Kushtetutë. Këtu bën pjesë edhe komuniteti bullgar, përfshirja e të cilit — së bashku me disa komunitete të tjera — prej vitesh po e bllokon rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut. Rezistenca ndaj kësaj çështjeje zbulon një problem të thellë: paaftësinë e elitave politike dhe shoqërore për të pranuar se shteti qytetar nuk ndërtohet duke i fshirë dallimet, por duke i njohur ato dhe duke u siguruar mbrojtje të barabartë.
Është e thjeshtë. Qasja e vërtetë qytetare ndaj të drejtave dhe lirive të njeriut — të garantuara me Kushtetutë, ligje dhe të drejtën ndërkombëtare — nuk guxon t’i kufizojë, t’i përzgjedhë apo t’i rendisë të drejtat sipas asaj nëse dikujt i duken “tepër etnike”.
Shteti qytetar nuk është shtet pa komunitete. Ai është shtet në të cilin asnjë komunitet nuk guxon të jetë mbi të tjerët, por asnjë komunitet nuk guxon të fshihet në emër të qytetarisë së rreme.
