LORIK IDRIZI
Në prag të zgjedhjeve lokale ka dy dekada që përveç betejave të zakonshme mes partive politike dhe naracionet polarizuese politike, është eklipsuar ëndrra për transformime të mëdha. Edhe pse në shumë komuna rurale ende përmenden çështje ekzistenciale si kanalizimi dhe uji i pijshëm, në komunat urbane ka ndodhur një relativizim i konceptit të zhvillimit i cili është shëndruar në mendësi edhe te qytetarët, i reduktuar shpesh në frazën: “na duhet një menaxher i mirë”.
Por komunave urbane u duhet shumë më tepër sesa një menaxher i mirë. Një menaxher ndoshta do të ishte zgjidhje optimale për një komunë tashmë të zhvilluar, por në një vend që ende është në tranzicion si i yni, nevojiten zgjidhje inovative, kreative dhe vizionare. Nevojitet një ëndërr për një transformim të madh, një rrëfim i ri urban, që duhet të jetë i pranishëm në vizionin dhe programin e çdo kandidati që aspiron drejtimin e komunës.
Në Shqipëri, megjithëse koncepti i “Rilindjes Urbane” i promovuar nga Partia Socialiste është degraduar dhe politizuar, ai në thelb mbartte një ide që duhej ta përjetonte e gjithë Shqipëria. Megjithatë, siç duket, vetëm Tirana e përjetoi atë. Edhe pse qytetarët e Tiranës ankohen për ngulfatjen urbane dhe betonizimin, nuk mund të mohohet që Tirana, krahasuar me versionin e saj të para shumë viteve që sa po doli nga komunizmi dukej si një qytet i braktisur që ngjante me Detroitin e vargjeve të Eminemit, sot është shndërruar në një qendër ballkanike, me një rrëfim urban që e ndjejnë edhe turistët.
Tirana, pavarësisht skandaleve korruptive dhe problemeve me betonizimin, ka ndërtuar ndër vite një rrëfim të saj urban dhe një ëndërr të madhe për t’u transformuar.
Kryetari i ardhshëm i Shkupit, por edhe kryetarët e komunave të tjera urbane, duhet ta kenë prioritet nxitjen e impulsit të jetës urbane, si në aspektin infrastrukturor, ashtu edhe në atë kulturor, për të rikthyer ëndrrën e një transformimi të madh. Vetëm në këtë mënyrë mund të rikthehet shpresa për një zhvillim të vërtetë dhe të qëndrueshem të qyteteve, i cili gjatë rrugëtimit të tij, do të bëhet rrëfimi kolektiv i atij qyteti.
Teksti është qëndrim personal i Autorit. KDP


