Kryetari i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi në Click Plus ka deklaruar se marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoninë e Veriut nuk janë dëmtuar, përcjell Nistori.
Duke folur për Gjykatën Kushtetuese, ai tha se mund të thuhet se ajo paraqet mjet për prishjen e këtyre marrëdhënieve, duke përmendur zhbërjen e “balancuesit” dhe shqyrtimin në të ardhmen edhe të Ligjit për gjuhët.
“Realisht nuk ka asnjë dëmtim të marrëdhënieve ndëretnike që është i shtyrë nga organet qeveritare. Do të thotë nuk keni asnjë gjë me të cilën ju mund ta faktoni se Qeveria është ajo që po i dëmton marrëdhëniet ndëretnike. Nuk kemi asnjë rast të këtillë dhe as ju si media dhe as edhe ndonjë në opinion mund ta dëshmojë këtë. A ka nxitje të prishjes së marrëdhënieve ndëretnike nga institucione të tjera të shtetit, po! Ne kemi Gjykatën Kushtetuese e cila duke abuzuar me fuqinë e saj për ta zhbërë balancuesin dhe çështjen e ligjit të gjuhës shqipe, që nuk e dimë se kur i vjen rendi. Do të thotë ajo është bërë mjeti që ka mundësi të ndikojë në prishjen e marrëdhënieve ndëretnike. Por, e vërteta është se anëtarët e Gjykatës Kushtetuese nuk janë votuar nga kjo përbërje qeveritare dhe fakti se ata janë votuar nga përbërja qeveritare e kaluar, le për të kuptuar se edhe ajo është nën ndikim të politikës së nomenklaturës së kaluar… Ne si Qeveri nuk e kemi fuqinë të ndikojmë në Gjykatën Kushtetuese”, tha Ibrahimi.
VLEN, garanca që përqindja e shqiptarëve është e garantuar në çdo institucion shtetëror
Ibrahimi, siguroi se nuk do të ketë ulje të përqindjes së përfaqësimit të shqiptarëve në institucionet shtetërore të Maqedonisë së Veriut.
Ai premtoi se për më pak se një vit do të miratohet Ligji për përfaqësim të drejtë, ndërkaq vakumi nga shfuqizimi i “Balancuesit” e deri atëherë, siguron se nuk do të ndikojë në uljen e përqindjes.
Ibrahimi tha se VLEN-i është garanca se përqindja e shqiptarëve është e garantuar.
“Unë e kam një shpresë se nuk na zë viti i ardhshëm pa u zgjidhur kjo punë, por intenca është edhe më herët
Është një vakum prej 14 muajsh?
Realisht është një vakum, por askund nuk ndodh që në ndonjë institucion të shtetit dikush ta ulë përqindjen e shqiptarëve nëse nuk është “Balancuesi”. Nuk ndodh askund, për shkak se aty është VLEN-i që është garanca që përqindja e shqiptarëve të jetë garantuar në çdo institucion shtetëror”, tha Ibrahimi.
Kryetari i AAA-së, tha se “sikur “Balancuesi” të mos ishte abuzuar, do të ishte i mirë, por është një model i kopjuar nga Irlanda dhe prandaj është abuzuar”.
“Mu më vjen keq që është hequr, sepse arsye është tendenca për të cilën është hequr. Nuk është a është punë e madhe apo jo! Nuk është mirë që është hequr sepse kjo ndikon në prishjen e marrëdhënieve ndëretnike. Ndikon… Ndikon… Ka tendencë të prishjes së marrëdhënieve ndëretnike, por nuk kemi”, tha Ibrahimi. /Nistori/