A ka mospajtim të ri mes partnerëve të koalicionit!? Dje kryeministri Mickoski në fjalimin solemn me rastin e ditës së luftës revolucionare maqedonase, në thirrjen e tij për bashkim në plotësimin e strategjisë për zhvillim të shtetit, e përfshiu vetëm ASHAM-in duke treguar qartë se nuk ka vend për akademi etnike, duke aluduar për akademinë shqiptare.
“Akademia e shkencave dhe arteve të Maqedonisë dhe mendjet shkencore u margjinalizuan dhe u drejtuan vetëm drejt projekteve dhe qëllimeve të tyre shkencore, por kësaj here duhet të përfshihen dhe të ndihmojnë në zhvillimin dhe vendosjen e qëllimeve dhe prioriteteve. Tani e di se në opinion do të flitet për akademi të ndryshme, andaj po e them këtë. Shkenca, qëllimet dhe strategjia nuk duhet të bëhen në bazë etnike”, tha Hristijan Mickoski.
Mickoski dërgoi thirrje deri tek opozita për bashkim dhe siç tha, bashkërisht t’i sjellin vendimet për ardhmërinë e vendit. Nga LSDM nuk e hodhën poshtë ofertën “unblock”, por thonë se në nivel partiak do të shqyrtohet propozimi.
“Në lidhje me thirrjen e djeshme të kryeministrit Hristijan Mickoski, unë mund të them me argumente dhe fakte se LSDM asnjëherë nuk ishte pengesë për zhvillimin e shtetit në çdo nivel, në çdo sektor për një jetë më të mirë të qytetarëve. Kështu që, do ta shqyrtojmë këtë propozim që e ofron Mickoski dhe do të prononcohemi për thirrjen e tij të fundit”, tha Bogdanka Kuzeska.
Në thirrjen për realizimin e strategjisë, Mickoski tha se shteti po përballet me një problem më të madh e ky është largimi i të rinjve duke shtuar se për disa vjet Maqedonia do të bëhet shtet “zombi” , pa popullsi. Me këtë program do të përcaktohen prioritetet e zhvillimit të shtetit, sfidat demografike, qëllimet ekonomike dhe segmentet e tjera të shoqërisë.