Shkruan: Xhelal Neziri
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristian Mickoski, tha dje se i është ofruar ryshfet për nënshkrimin e tenderit për ndërtimin e hekurudhës drejt Bullgarisë në vlerë prej 560 milionë euro. Bëhet fjalë për një segment të Korridorit 8, – që lidh Italinë, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë – e që financohet nga Banka Evropiane për Ripërtërije dhe Zhvillim dhe Banka Evropiane Investuese. Ky korridor tashmë është pjesë e hartës së korridoreve evropiane, me të cilat mundësohet një lidhje më e fuqishme infrastrukturore midis Evropës Lindore dhe Perëndimore.
Por, problemi në këtë rast është heshtja e kryeministrit ndaj ofertës për korrupsion. Ai as nuk e ka paraqitur në Prokurori, e as në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit. Si bartës i një funksioni të rëndësishëm në shtet, këtë e ka për obligim ta lajmërojë. Pasi ta ketë parashtruar në Prokurori, Mickoski është dashur të bashkëpunojë me organet e hetuesisë me qëllim që të zbulohet se kush qëndron pas tentimit për korruptimin e kryeministrit. E në fund – ofruesi i korrupsionit të marrë dënimin e merituar, në përputhje me Ligjin për parandalim të korrupsionit dhe konfliktit të interesit, i ndryshuar në vitin 2019. Ky ligj poashtu obligon të gjithë funksionarët që, midis tjerash, të lajmërojnë korrupsionin.
Neni 61 i Ligjit thotë: “Zyrtari është i detyruar të denoncojë çdo vepër penale që ka të bëjë me korrupsionin, si dhe çdo shkelje të dispozitave të këtij ligji, për të cilën merr vesh gjatë kryerjes së detyrës”.
Kjo do të thotë se Mickoski ka shkelë ligjin. Edhe shkelja e ligjit është korrupsion.
Përveç obligimit ligjor, këtu kemi edhe aspektin etik. Moslajmërimi i korrupsionit te institucionet kompetente dhe shpalosja e rastit në opinionin publik zbeh imazhin politik të Mickoskit, nga i cili ka pritshmëri të mëdha në luftën kundër kësaj dukurie negative. Ai sot ka deklaruar se Qeveria do të krijojë një numër të posaçëm ku mund të lajmërohet korrupsioni. Asgjë e re – deri tash ka mbi 50 numra për lajmërim të korrupsionit, por shumë pak raste lajmërohen. Gati çdo institucion apo shoqatë joqeveritare që lufton korrupsionin ka kohë që presin lajmërime. Por, as kryeministrit nuk iu kujtua t’i testojë ato numra. Pasi paralajmëroi një numër të ri, dyshoj nëse e di se ekzistojnë këto adresa.
Ndërkohë që 100-ditëshi po afrohet, qeveria e drejtuar nga Mickoski le përshtypjen se nuk di të udhëheqë. Bëhen gabime fillestarësh, mosnjohje ligjesh dhe skandale të përditshme. Duket se nuk e kanë marrë seriozisht peshën e autorizimit të popullit, të marrë në zgjedhje për të drejtuar shtetin. Ky autorizim iu dha për të luftuar korrupsionin, për të integruar vendin në Bashkimin Evropian (reforma) dhe për zhvillim ekonomik. Çdo gjë tjetër është cirk për të zbavitur opinionin.
Burimi: KDP.MK