Ende mbetet i paqartë fati i Aleancës për Shqiptarët, nëse do t’i takojë Ziadin Selës apo Arben Taravarit. Ky i fundit i ka vulat e partisë, por nga krahu i Selës thonë se e kanë shumicën e kuvendarëve dhe kongresit që në mbledhjet e fundit e kanë shkarkuar Taravarin si kryetar partie. Gjykata Themelore në Tetovë pati sjellë vendim sipas statutit të partisë, që ASH-ja i takon Ziadin Selës, por me këtë nuk u pajtua krahu i Taravarit dhe u ankuan në Gjykatën e Apelit. Deri sot, nuk ka patur asnjë zhvillim, por debat në rrjetet sociale shkaktoi Arben Taravari përmes një statusi në Facebook:
“Nëse dikush mendon se partia është pronë private apo e trashëgueshme e ka gabim”, tha arben Travari.
Taravari nuk dha më tepër sqarime pse e shkroi këtë. Nëse ka zhvillime të reja, pyetëm përfaqësuesin juridik të krahut të Taravarit, avokatin Abidin Abduli. Thotë se deri tani nuk kanë marrë asnjë njoftim me shkrim.
“Ne nuk kemi persona të instaluar në sistemin gjyqësor këtu në RMV. Informatat i marrim vetëm me shkrim kështu që nëse të tjerët kanë ndonjë informatë dhe nuk u pëlqen vendimi dhe shprehin pakënaqësitë e tyre, ne nuk e dimë, por unë nuk kam pranuar në zyrën time ndonjë vendim nga Gjykata e Apelit në Gostivar”, tha Abidin Abduli, avokat i ASH-së/Taravari .
Diçka për të thënë pati edhe nënkryetarja e ASH-së së drejtuar nga Taravari, Bujare Abazi.
“Nëse flasim në aspektin etik se kujt i takon Aleanca për Shqiptarët, unë do të thoja se ASH u takon atyre që u përmbajtën idesë për çka fillimisht u formua si parti e tillë dhe i shtyri ideali deri në momentin kur ne BDI-në e dërguam në opozitë”, tha Bujare Abazi, ASH-Taravari.
Për këto reagoi Aleanca për Shqiptarët, krahu i Ziadin Selës:
“Vonesat në Gjykatën e Apelit, deklaratat e paradokohshme të Arben Taravarit se tani “ka ndryshuar situata” duke aluduar në hyrjen e tyre në Qeveri dhe trumbetimet e tij se do të ndryshojë vendimi i shkallës së parë, forcon dyshimet për presione mbi Gjykatën e Apelit. Sa i takon aspektit moral që dëgjuam sot nga uzurpatorët, Aleanca për Shqiptarët nuk i takon VMRO-së, as atyre që ju dorëzuan VMRO-së”, tha ASH-Sela.
Për fatin e Aleancës për Shqiptarët, pyetëm edhe në Gjykatën e Apelit. Atje ende nuk është mbajtur asnjë diskutim për shkak se anëtarët e këshillit janë në pushim vjetor. Vendim pritet të merret në fillim të muajit shtator.
“Deri më sot nuk ka një vendim lidhur me ankesën e subjektit politik Aleanca për Shqiptarët. Anëtarët e këshillit të cilët duhet të vendosin për këtë kontest të komplikuar, kanë shfrytëzuar pushimet e tyre vjetore. Për të respektuar afatet kohore, diskutimi dhe vendimi mbi këtë çështje do të merret në fillim të muajit shtator”, deklaroi Gjykata e Apelit – Gostivar.
Përndryshe përçarja në dy grupe të Aleancës për Shqiptarët erdhi pasi kreu i kësaj partie Arben Taravari përmes një statusi në FB njoftoi vendimin e tij që t’i bashkangjitet koalicionit VLEN, atëkohë LEN, për pjesëmarrje të përbashkët në zgjedhjet parlamentare. Nga ana tjetër krahu i Ziadin Selës, vazhdimisht këmbëngulte se në zgjedhje do të dalin vetë, por në fund iu bashkangjitën Frontit Europian. Arsyeja sipas Selës, ishte se nuk mund t’i regjistronin kandidatët e partisë për deputetë në listat zgjedhore, meqenëse vulat e partisë i posedonte Taravari.
Burimi: TV21