Organizata eminente think-tank e Kosovës, Balkan Forum, publikoi një video intervistë të gjerë me Xhabir Derallën nga CIVIL-i, në të cilën gazetarja Gonxhe Konjufca shtroi një gamë të gjerë pyetjesh dhe temash. Intervista është pjesë e serisë “Ballkani dhe më gjerë” në të cilin të ftuar janë figura të shquara nga jeta publike, mediatike dhe politike në rajonin e Ballkanit Perëndimor, raporton CivilMedia.
“Na ndiqni për një tjetër episod të podkastit të Forumit Ballkanik të serisë për Ballkanin dhe më gjerë, me Xhabir Derallën, një gazetar hulumtues i respektuar nga Maqedonia e Veriut. Xhabiri është themeluesi i CIVIL-it, një organizatë lider për të drejtat e njeriut, si dhe është fitues i Çmimit të Solidaritetit për Gazetarët nga Evropa Juglindore për vitin 2024 dhe Urdhrit të Meritës nga Presidenti Zelenski. Në këtë episod, e shohim rrugëtimin e Xhabirit në gazetari, përkushtimin e tij në promovimin e demokracisë dhe lirisë së shtypit dhe luftën e tij kundër dezinformimit. Dëgjoni përvojat, sfidat dhe vizionin e tij për të ardhmen e gazetarisë dhe të drejtave të njeriut në Evropën Juglindore”, tha gazetarja në fillim të intervistës.
Në intervistën 43 minutëshe, Deralla mes tjerash foli edhe për rritjen e nacionalizmit të ekstremit të djathtë, i cili mund të shkaktojë “sfida serioze sigurie”. Ai tha se “njoftimet” për këtë tashmë janë parë me incidentin e sigurisë në Banjsko të Kosovës vitin e kaluar.
“Duhet të përballemi me faktin se nacionalizmi i ekstremit të djathtë është në rritje,se kërcitja me armë ditë e më e zëshme në rajonin e Ballkanit Perëndimor.Kjo mundet, ose ka potencialin të shkaktojë sfida reale serioze sigurie, e të mos flasim për disa lloje luftërash ose operacionesh ushtarake. I pamë ‘njoftimet‘ për këtë jo shumë kohë më parë, në shtator të vitit të kaluar”, tha Deralla në intervistën për Forumin Ballkanik.
Deralla theksoi se regjimet autoritare janë të lidhura mes vete dhe ndihmohen, ndërsa e theksoi edhe nevojën e forcave demokratike të ndërlidhen dhe të bashkëpunojnë me njëri tjetrin.
“Forcat demokratike në vendet tona duhet të lidhen mes veti. Pse? Sepse regjimet autoritare llidhen gjatë gjithë kohës. Ata janë në një rrjet. Ata mësojnë nga njëri tjetri.Ata ndihmohen mes veti.Ata financohen mes veti.Kështu që, këtë duhet bërë edhe ne në anën tjetër – në anën demokratike, siç përmenda në fillim:Arsimimi mediatik dhe edukimi për të drejtat e njeriut.”, tha Deralla.
Ai theksoi edhe se çka duhet të ndërmerret në atë drejtim, rekomandime që e reflektojnë angazhimin e tij në fushën e mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut.
“Inkurajoni njerëzit se ata i kanë të gjitha të drejtat njerëzore vetëm në bazë të faktit të vetëm që kanë lindur si qenie njerëzore. Andaj, pavarësisht nga orientimi i tyre social, etnik, fetar, seksual, nga cilado prejardhje, anëtarësi ose orientim –ata i gëzojnë të gjitha të drejtat si qenie njerëzore për arsye të faktit të thjeshtë – ata janë njerëz”, tha Deralla.
Sipas tij, çdo njeri ka të drejtë të ndërmerr diçka dhe se pritshmëria se dikush tjetër do të luftojë për ta gjithmonë sjell në situatë ku në fakt askush të mos ndërmerr asgjë.
“Andaj, inkurajoni ata të luftojnë për të drejtat e tyre,sepse çdo herë kur ata mendojnë se dikush tjetër do të luftojë për ata – nuk do të ndodh asgjë”, tha Deralla.
Intervistën e plotë mund ta shihni ne Jutub kanalin e Forumit Ballkanik.
Produksioni: The Balkan Forum
Përgatiti: B. Jordanovska
Përpunimi i videos: A. Mehmeti