CIVIL – Qendra për Liri të hënën, më 18 mars, me fillim në ora 11 do të mbajë konferencë për shtyp në të cilën do ti prezantojë gjetjet dhe vlerësimet nga monitorimi i gjerë i procesit zgjedhor në Maqedoninë e Veriut. Konferenca për shtyp do të mbahet në qendrën e shtypit të organizatës, që ndodhet në katin e tretë të Qendrës së Biznesit Paloma Bianka.( Linku për lokacionin)
“Gjatë konferencës për shtyp, përfaqësuesit tanë do të trajtojnë disa çështje kyçe. Do të paraqesim një vlerësim të thelluar të ndryshimeve të fundit në Kodin Zgjedhor dhe ndikimin e tyre në cilësinë e përgjithshme të procesit zgjedhor. Më tej, do të prezantojmë një raport gjithëpërfshirës për dezinformatat dhe narrativat propagandistike, së bashku me një analizë të përdorimit të gjuhës së urrejtjes në komunikimet publike”, njoftojnë nga CIVIL-i.
Më tej, CIVIL-i do të nxjerrë disa rekomandime, duke u fokusuar në imperativin për ruajtjen e të drejtave të votuesve dhe parandalimin e shfrytëzimit të fëmijëve dhe të miturve për qëllime politike.
Pjesëmarrja personale dhe virtuale janë të mirëseardhura. Konferenca për shtyp do të transmetohet drejtpërdrejt në faqen e organizatës në Facebook dhe kanalin video në YouTube. Pyetjet mund të dërgohen përmes postës elektronike ose mesazherit jo më vonë se një orë para fillimit të ngjarjes.
Ekipi i CIVIL-t për komunikim