Partitë politike të shqiptarëve të Maqedonis së Veriut edhe sikur të duan nuk mund të devijojnë nga kursi pro-evropian dhe pro-amerikan, sepse mbështetja e shqiptarëve për këtë përcaktim strategjik të shtetit është jashtëzakonisht e madhe, thonë njohës të zhvillimeve politike për “Frontline”.
Ish-deputeti dhe kandidati për president Zudi Djelili thotë se këtë vendosmëri e kanë ushqyer shqiptarët dhe elita politike e dinë saktësisht se perspektiva e vetme për vendet e Ballkanit Perëndimor është anëtarësimi në Bashkimin Evropian (BE).
“Sa herë janë anketuar qytetarët e Maqedonisë së Veriut, sa janë të interesuar për hyrjen e vendit në BE, veçanërisht shqiptarët janë deklaruar me përqindje shumë të larta pro anëtarësimit. Elita politike e di saktësisht se perspektiva e vetme për vendet e Ballkanit Perëndimor është hyrja në BE. Çdo parti politike e shqiptarëve këtë synim e ka në programet e tyre dhe asnjëherë nuk kanë shfaqur dyshime. Partitë e shqiptarëve mbështetën çdo marrëveshje politike për këto çështje, mbështetën pa kushte rrugën drejt NATO-s, BE-së, marrëveshjen e Prespës, mbështetën referendumin, mbështesin propozimin francez, mbështesin marrëveshjen për ndryshimet kushtetuese, mbështesin Frontin për Europe, etj”, ka thën Xhelili për “Frontline”.
Kryetari i Këshillit Euro-Atlantik dhe ish-deputeti Ismet Ramadani thotë se shqiptarët gjithmonë kanë qenë dhe janë të orientuar pro-Europs.
“Shqiptarët këmbëngulin me këmbëngulje që edhe maqedonasit të binden se pas anëtarësimit në NATO duhet të realizohet edhe përcaktimi tjetër strategjik që Maqedonia e Veriut të jetë pjesë e BE-së. Tani duhet të marrë fund promovimi deklarativ i orientimit properëndimor, është koha për të promovuar vlerat euroatlantike. Shqiptarët e dinë më së miri se çfarë do të thotë të injorosh gjuhën dhe identitetin tënd, prandaj solidarizohen me maqedonasit, edhe pse në periudha të caktuara strukturat e ndryshme të maqedonasve nuk ishin miqësorë me shqiptarët”, theksoi Ramadani.