DIJANA TAHIRI
Para disa ditësh në Shkup doli lajmi se dy vajza të moshës 12 dhe 15 vjeçe janë zhdukur, gjegjësisht, vajza 15 vjeçe e ka nxjerrë nga ora e mësimit vajzën 12 vjeçe, dhe janë larguar në drejtim të panjohur. Alarmi i parë, sipas rrjeteve sociale dhe pastaj edhe mediave, u dha nga babai i të miturës 12 vjeçe.
Është për t‘u përshëndetur solidarizimi i menjëhershëm i qytetarëve të cilët pa u menduar e shpërndanë thirrjen e babait të njërës nga vajzat, nëpër rrjetet sociale. Madje, një ditë pas apelit, grupi i tifozëve “Shvercerat” bëri edhe një apel që në mënyrë të organizuar ti kërkojnë vajzat gjatë natës. Anash solidaritetit të mirëfilltë, mbetet shija e hidhur nga tituj dhe përmbajtje të mediave të caktuara, gjegjësisht, në portalin “Pa Censurë” ku lexuesit, në kërkim të informatave për rastin, kishin mundësi të lexojnë një shkrim me informata shumë intime për dy vajzat, shkrim paragjykues, shpifës, dhe jashtë çdo etike njerëzore dhe në fund jashtë etikës gazetare. Pas reagimeve të shumta, portali në fjalë e hoqi shkrimin, por falë reagimeve të shpejta – mbeti gjurma nga fotografimi në ekran (screenshot) Shkrimi në fjalë është i kopjuar nga fotografia dhe është si vijon më poshtë.
“Arsyeja pse janë larguar vajzat, është fatkeqësia që presim të na kaploj…! Me gjithë këto të drejta për atë komunitet! Prindërit urgjentisht të reagojnë… Maksimalisht duke bërë kujdes se çfarë po shkruajmë ngaqë bëhet fjalë për minorene!
Por, një pjesë bukur të mirë të fajit e ka edhe shkolla, ku vajzat paskën deklaruar ndjenjat e tyre para dy javëve tek kryesia e shkollës. Fatkeqësi!”
Vajzat e mitura u gjetën pas dy ditësh, kur një qytetar i ka vërejtur duke e kaluar rrugën në një nga lagjet e Shkupit, dhe menjëherë është lajmëruar në polici. Pas këtij lajmi të mirë, nëpër media doli fotografia e dy vajzave në makinë, pas gjetjes. Gjë që në asnjë mënyrë nuk duhej të ndodhë. Pasuan shumë komente për pamjen e vajzave, me shumë ofendime dhe kualifikime, deri në përshkrime eksplicite se pse duken ashtu si duken. Edhe këtu, mediat dështuan – në vend se ti mbrojnë vajzat, me publikimin e fotografisë nxitën gjuhë të urrejtjes dhe kualifikime nga më të poshtrat.
Ajo që është me shumë rëndësi, në këtë rast, por siç dëgjoj, edhe në shumë raste tjera (që nuk e kanë pasur epilogun si të vajzave), është siguria e fëmijëve në shkolla. Dhe me këtë me siguri se do të merren organet e përshtatshme – si mundet nxënësi të del nga ora, gjegjësisht ta marrë dikush nga ora e mësimit, pa leje të prindit?!? Këtu duhet të merret në pyetje mësimdhënësi që ka lejuar nxënësi të del nga mësimi me thirrje të dikujt tjetër përveç prindit, ose personit të caktuar nga prindi.
Puna e parë e Këshillit për etikë në media, është ti shënojë të gjitha mediat që këto ditë, por edhe në të kaluarën, e “informojnë” publikun në mënyrë joprofesionale, ndërsa organet tjera përkatëse, ti sanksionojë, dhe pse jo, edhe t’u jepet ndalesë për punë, gjegjësisht, t’u merret licenca e punës.
Nga ministria për punë dhe politika sociale veçmë informuan se do t’u japin mbështetje institucionale vajzave, dhe unë personalisht apeloj deri te organet përkatëse të këtij dhe çdo institucioni tjetër që do të merret me këtë rast, ta kryejnë punën deri në fund, gjegjësisht, të merren në pyetje të gjithë aktorët në këtë dramë, për spektatorët – ndoshta e shkurtë, por për prindërit, e gjatë sa një jetë.