Për luftë kundër dezinformatave dhe propagandës duhet të kyçen të gjithë aktorët në shoqëri për të mos lënë mundësi për manipulim dhe propagandë. Për të arritur këtë duhet përpjekje dhe përfshierje e më shumë elementeve në shoqëri, përfshirë edhe edukimin mediatik që në moshë të re. Problemi nuk është i ri. Problemi me dezinformatat ekziston, ka më disa vite që shpërndahen dhe depërtojnë nëpër kanale të ndryshme në mediat tona si dhe në rrjetet sociale, theksoi kryeredaktorja e portalit “Portalb” dhe projekt medial i Fondacionit Metamorfozis, Elida Zylbeari.
“Por në vend më shumë shohim problem të shpërndarjes së dezinformatave kur ka ngjarje të ndryshme më të mëdha, si për shembull referendumet, zgjedhjet, atëherë e shohim një valë më të fortë të shpërndarjes së dezinformatave qoftë të krijuara në vend, qoftë të krijuara jashtë vendit”, theksoi Zylbeari
Ajo më tej theksoi se qëllimi i dezinformimit në vend siç kemi vërejtur në Fondacionin Metamorfozis, që merren thuajse 12 vite me luftën kundër dezinformatave, është të shkaktojë destabilizim të vendit dhe krijim të mosbesimit në demokraci.
“Kur kemi mosbesim në një shoqëri e cila është multietnike kjo mund të jetë shumë e rrezikshme dhe mund të shkaktojë shumë dëme në vendin tone”, tha Zylbeari, duke shtuar se mediat profesionale janë në luftë të vazhdueshme me shpërndarësit e dezinformatave dhe mundohet që me anë të profesionalizimit të tyre të arrijnë të shpërndajnë informatën e saktë që të realizohet e drejta e qytetarit për të marrë informata të sakta, të verifikuara dhe me kohë.
Luftën me dezinformatat nuk mund ta bëjë vetëm një aktor në shoqëri, tha Zylbeari, për të shtuar se nuk mund të jenë vetëm mediat ato të cilat luftojnë me dezinformatat.
“Për të arritur efekt gjithpërfshirës duhet që shumë aktorë të cilët kanë punët e tyre të definuara që të luftojnë së bashku dhe secili ta kryen punën e vet.
Si mënyrë për të luftuar kundër dezinformatave ajo theksoi se duhet të sigurohet edukim mediatik në shkolla që në moshë të hershme që të arrihet një lloj kultivimi i mendimit kritik tek të rinjtë të cilët do të mund t’i njohin dezinformatat që në moshën të re, me atë se edhe gazetarët duhet t’i respektojnë parimet gazetareske.
“Ata do të jenë rezistent, nuk do të biejn pre e dezinformatave që të mund të manipulohen dhe mashtrohen”, theksoi Zylbeari lidhur me vendosjen e edukimit mediatik
Lidhur me luftën kundër dezinformatave, ajo potencoi se këtu janë edhe organizatat joqeveritare, siç është Metamorfozis të cilat vazhdojnë punën e tyre me shërbime të ndryshme të verifikimit të fakteve, në të cilën bëjnë pjesë gazetarë të specializuar të cilët merren me zbardhjen e dezinformatave të cilat shpërndahen nëpër rrjete.
Si element i fundit për luftën kundër manipulimeve ajo theksoi transparencën.
“Saherë që Qeveria dhe institucionet japin hapur informatat e tyre atëherë i largohemi mundësisë që dikush të manipulojë në mungesë të fakteve. Pra ato duhet të jenë të qasshëm dhe të mundësojnë qasje të lirë tek gazetarët tjerë dhe kështu gjithë aktorët të arrijnë në një shoqëri, e cila do të jetë rezistente ndaj dezinformatave “, porositi Zylbeari.
Intervista është pjesë e projektit “Gazetaria rezistente në luftën kundër dezinformatave dhe propagandës” të cilin CIVIL e zbaton në partneritet me Youth4Media (Y4M), me mbështetje të Qeverisë së Vestfalisë së Renit Verior, Dyseldorf, Gjermani.