Këtë vit mbushen 15 vjet që kur bota filloi të festojë Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, më 15 shtator. Kjo ditë festohet çdo vit në mbarë botën për të forcuar demokracinë dhe për të nxjerrë në pah vlerat dhe parimet e saj. Këtë vit, Dita e Demokracisë do të fokusohet në rëndësinë e lirisë së medias për demokracinë, paqen dhe arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm.
CIVILi ua uron Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë të gjithë qytetarëve në vend dhe në botë, me thirrje për respektimin e parimit të sundimit të demokracisë dhe ligjit, me thirrje që deklaratat për një botë demokratike duhet të kthehen sa më parë në vepra.
Vlerat e lirisë, respektimi i të drejtave të njeriut dhe parimi i mbajtjes së zgjedhjeve periodike dhe të mirëfillta me votim universal janë elementet bazë të demokracisë. Nga ana tjetër, demokracia siguron një mjedis natyror për mbrojtjen dhe realizimin efektiv të të drejtave të njeriut. Këto vlera janë mishëruar në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut dhe zhvillohen më tej në Paktin Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike, i cili përfshin një mori të drejtash politike dhe lirish civile që mbështesin demokracitë kuptimplota.
Por, demokracia nuk nënkupton vetëm të drejtën e votës, por edhe të drejtën për një jetë dinjitoze në çdo aspekt, të drejtën e vendosmërisë, pjesëmarrjes, bashkëpunimit, barazisë dhe respektit.
Këtë vit bota dëshmoi një tjetër shkelje dhe shkatërrim të tmerrshëm dhe masiv të demokracisë, të drejtave të njeriut dhe integritetit territorial me agresionin ushtarak rus kundër Ukrainës. Kjo luftë është jashtëzakonisht e dhimbshme për vlerat demokratike të mbarë njerëzimit. Njëkohësisht, e gjithë bota demokratike ushqen shpresën se kombi trim ukrainas, me mbështetjen e të gjitha forcave demokratike në botë, do të çlirohet dhe do të ngrihet përsëri. CIVILi, si organizatë për të drejtat dhe liritë e njeriut, me bindje të rrënjosura për të drejtat dhe liritë universale të njeriut, vlerat evropiane dhe të gjelbra, u bën thirrje të gjitha forcave demokratike në botë që të mos i nënshtrohen sfidave të së keqes.
Marrëdhënia midis demokracisë dhe të drejtave të njeriut është vendosur në nenin 21 (3) të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, në të cilën thuhet:
“Vullneti i popullit do të jetë baza e autoritetit të qeverisë; ky vullnet do të shprehet në zgjedhje periodike dhe të vërteta, të cilat do të jenë me votim të përgjithshëm dhe të barabartë dhe do të mbahen me votim të fshehtë ose me procedura ekuivalente të votimit të lirë. ”
Dita Ndërkombëtare e Demokracisë ofron një mundësi për të rishikuar gjendjen e demokracisë në botë dhe në vendin tonë. Demokracia është një proces aq sa edhe një qëllim, dhe vetëm me pjesëmarrjen dhe mbështetjen e plotë të komunitetit ndërkombëtar, organeve qeverisëse kombëtare, shoqërisë civile dhe individëve, ideali i demokracisë mund të kthehet në një realitet që duhet të gëzohet nga të gjithë qytetarët në mbarë botën.
Gëzuar Dita Ndërkombëtare e Demokracisë!
CIVIL