Ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiq e tërhoqi listën me propozimin për falje, ku ishin edhe të dënuarit si Sead Koçan, Aleksandar Vasilevski – Ninxha, Boban Iliq, transmeton Portalb.mk.
Mariçiq i ka dërguar letër presidentit, Stevo Pendarovski në të cilën theksohet se materiali i përgjithshëm duhet të shqyrtohet edhe njëherë. Në rrjetet sociale është prononcuar edhe zëvendësministri, Agim Nuhiu, i cili informoi për vendimin.
“E informojmë opinion e gjerë se Propozimet për falje të inicuara nga Drejtoritë e burgjeve janë tërhequr nga ana e Ministrisë së Drejtësisë! Për kauzën e drejtësisë gjithnjë do të veprojmë!”, ka shkruar Nuhiu në Facebook.
Tani, sipas informatave, do të bëhen konsultime shtesë me drejtoritë e burgjeve, ku të dënuarit dhe avokatët e tyre kërkuan falje. Lista e parë e të burgosurve drejt kabinetit të presidentit është dorëzuar para dhjetë ditëve.
Informata se në listën e personave të dënuar për të cilët Mariçiq i kishte dërguar kërkesë Pendarovskit që të falen, shkaktoi reagime të shumta në opinion, ndërsa para se të merrej vendimi për tërheqje të listës, reaguan edhe partitë politike shqiptare.
Partia Alternativa, sot nëpërmjet një konference për media, kërkoi nga presidenti Pendarovski që të mis e nënshkruajë këtë listë.
“Kjo falje nuk do të ndodhë jo vetëm për arsye se kush e fal kriminelin e amniston krimin, por edhe për arsye se ky është një ndër rastet që e ka lëkundur rëndë besimin ndëretnik. Prandaj, falja e të dënuarit do ta thellojë edhe më shumë mosbesimin, jo vetëm ndaj institucioneve të drejtësisë, por edhe ndaj institucionit të presidentit ndërsa do të ndikojë keq edhe në marrëdhëniet ndëretnike në vend. Me këtë rast, kërkojmë publikisht edhe nga kryeministri Zoran Zaev t’ia përkujtojë ministrit të Drejtësisë, Mariçiq se me 5 dhjetor ai ka nënshkruar me kryetarin e Alternativës, Afrim Gashi, një marrëveshje bashkëpunimi, në të cilën njëra nga këto pika ka qenë edhe dakordimi që Qeveria e Maqedonisë së Veriut të kërkojnë nga Komisioni Evropian hetim ndërkombëtar për rastet gjyqësore, për të cilat dyshohet se ka implikim politik, ku është përfshirë edhe rasti i Almir Aliut të vogël”, deklaruan nga kjo parti.
Nga Lëvizja Besa kanë thënë se, me tentimin për të amnistuar persona që kanë probleme me ligjin, siç është rasti i fundit i kryesit të veprës çnjerëzore – vrasësi i Almirit 4 vjeçar, siç u shprehën nga kjo parti, seriozisht po goditet sistemi i drejtësisë .
“Lëvizja BESA edhe njëherë riafirmon qëndrimin se pa gjykata të reformuara dhe pa ndryshim të mendësise së vjetër të trashëguar nga sistemi komunist, Maqedonia e Veriut çdoherë do bjerë në provimin për t’u afruar me vlerat e drejtësisë perëndimore ku drejtësia nuk njeh përkatësi etnike apo fetare. Andaj u bëjmë thirrje të gjithë institucioneve kompetente, në rastin konkret Presidentit të shtetit, Stevo Pendarovskit që të marrë seriozisht rastet e ndjeshme dhe të reflektojë dhe të mos e nënshkruaj faljen e tyre”, thuhet në reagimin e tyre.
Ndërkaq, Aleanca për Shqiptarët kërkoi dorëheqjen e zëvendësministrit të Drejtësisë, Agim Nuhiu.
“Deklarata e zëvendës ministrit të drejtësisë, Agim Nuhiu, i cili ngjashëm veproi edhe më 27 prill, vetëm se dëshmon që ai dhe bashkëpartiakët e tij janë në Qeveri vetëm për të legjitimuar vendimet banditeske të këtij regjimi. Në vend se të distancohet, Nuhiu duhet të saktësojë nëse është qyqar dhe fshihet pas Mariçiqit, apo është kukull të cilin se pyet askush për asgjë në atë ministri”, thanë nga ASH.
Kujtojmë se, Boban Iliq është i dënuar për krimin e kryer më 25 qershor 2016, duke e goditur për vdekje me veturë katër vjeçarin Almir Aliu, pasi që paraprakisht babai i vogëlushit dhe ai kishin pasur një zënkë banale në ambulancë.
Fillimisht, Iliq ndiqej për veprën “vrasje me paramendim“, megjithatë e njëjta më pas u rikualifikua nga Prokuroria duke e ndjekur për veprën penale “vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion” nga neni 300 paragrafi 2 në lidhje me nenin 297 paragrafi 1 nga Kodi Penal”.
Edhe pse në kamerat e sigurisë shihet qartë se vëllai i Bobanit, Bojan Iliq, ka qenë i përfshirë në rrahjen me Sedat Aliun, Sami Demirin dhe Abdulla Aliun, ai nuk u përfshi në akuzë, gjegjësisht nuk u dënua.
Më 5 prill të vitit 2018, Boban Iliq, u dënua me 6 vjet burg, babai i Almirit, Sedat Aliu me 6 muaj, ndërkaq Sami Demiri dhe Abdullah Aliu me nga 9 muaj burg. I njëjti vendim u rikonfirmua në rigjykimin e dytë.
Lënda shkoi në Gjykatën e Apelit, e cila e ktheu prej në nga e para për shkak të shkeljeve që ishin bërë në procedurë. Gjykata Themelore e Kumanovës sërish me të njëjtat dënime i dënoi të akuzuarit. Lënda shkoi sërish në Apel, ku tani kjo Gjykatë ndërroi mendje dhe për dallim prej herës së parë, Iliqit ia uli dënimin prej 6 në 4 vjet.
Burim: Portalb