Për shkak asaj se rendi i ditës nuk është hapur, nuk mund të hapet debat për votim të mosbesimit të Qeverisë. Konstatojmë se ndaj Qeverisë nuk është votuar mosbesim dhe në bazë të kësaj Qeveria vazhdon me përbërjen e plotë dhe detyrat që ka.
Mbledhja për votëbesimin e Qeverisë ka përfunduar, ka deklaruar sonte kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi duke e mbyllur mbledhjen e sotme. Sipas procedurave të Rregullores, Xhaferi ka sqaruar se nga momenti i çështjes së besimit të Qeverisë, Kuvendi ka të drejtë në ditën e tretë të debatojë për çështjen e besimit të Qeverisë iniciuar nga opozita me 61 nënshkrime.
“Duke pasur parasysh se ata nuk kanë pasur kuorum për qëllimin për të cilin është iniciuar kjo çështje, rendi i ditës nuk është votuar sepse rendi i ditës nuk është hapur dhe nuk mund të hapet debat për mosbesimin e Qeverisë. Konstatojmë se ndaj Qeverisë nuk është votuar mosbesimi dhe në bazë të kësaj Qeveria vazhdon me përbërjen e plotë dhe detyrat që ka. Konstatoj se çështja e paraparë për këtë seancë është shterur dhe e mbyll këtë mbledhje dhe konstatoj se seanca ka përfunduar. Qeverisë i uroj suksese në ditët në vijim që ka pushteti ekzekutiv”, tha Xhaferi.
Më parë nënkryetari i Kuvendit, Fadil Zendeli e ndërpreu seancën për votëbesimin e Qeverisë për shkak të mospasjes së kuorumit dhe pamundësisë që të përcaktohet rendi i ditës. Në fillim të seancës, sot paradite kanë marrë pjesë 61 deputetë, por kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi e braktisi seancën pasi siç tha, “nuk e përkrah nismën dhe e ftoi nënkryetarin e Kuvendit Fadil Zendeli ta drejtojë seancën”.
Gjatë numërimit u konstatua se në seancë të pranishëm kanë qenë 60 deputetë. Në sallë nuk kanë qenë të pranishëm deputetët e partive në pushtet LSDM dhe BDI si dhe Kastriot Rexhepi nga Besa i cili paralajmëroi se nuk do të marrë pjesë në seancën parlamentare. Deputetët e opozitës së bashku me dy deputetë tjerë të Besës janë 60.
Ndryshe, sipas nenit 95 të Rregullores së Kuvendit, Kuvendi mund të vendos nëse në mbledhjen të pranishëm janë shumica e numrit të përgjithshëm të deputetëve, pra 61.