Politikanët janë shumë specifikë, megjithatë ne vazhdojmë me bisedat, kemi tre tema para të dy palëve dhe ekziston zgjidhje, deklaroi kryeministri Zoran Zaev në hapjen e Samitit për Ballkanin Perëndimor të “Ekonomist”, që mbahet sot në Shkup.
Zgjidhja mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, theksoi Zaev, do të jetë porosi e fuqishme për inkurajimin e gjithë Ballkanit Perëndimor, sepse gjithçka që ndodh në Mal të Zi, Kosovë apo kudo qoftë, ka ndikim mbi gjithë të tjerët.
“Besoj se ekziston zgjidhje dhe kam përvojë në gjetjen e shumë zgjidhjeve në katër vitet e fundit. Personalisht besoj se deri në fund të këtij viti është e mundur zgjidhja”, deklaroi Zaev.
Duke u përgjigjur në pyetjen e drejtorit rajonal të “Ekonomistit” për Evropë Xhoan Hoej, për veton bullgare dhe nëse kanë marrë bindje nga BE-ja se gjuha dhe historia nuk do të jenë lëndë e negociatave, Zaev tha se pas kësaj çështje BE-ja e konfirmoi vlerën dhe rëndësinë se edhe çështjet e hapura janë bilaterale mes nesh dhe Bullgarisë, dhe duke e pasur në mendje identitetin dhe gjuhën tonë edhe BE-ja është shumë e qartë dhe e përpiktë për atë çështje.
“Gjithsesi ka të drejtë të vetëvendosjes dhe kjo është shumë mirë. Kuptohet, prej më parë kam parë edhe shumë sinjale pozitive nga Bullgaria. Ata e kuptojnë atë edhe kur flasim njëri me tjetrin, madje edhe bashkë në konferenca për shtyp ata thonë gjuha maqedonase, njerëzit maqedonas, megjithatë zyrtarisht nuk e pranojnë dhe shpresoj se edhe këtë do ta zgjidhim së shpejti”, deklaroi Zaev.
Kuptoj, tha kryeministri, pse politikanët nuk mund të premtojnë zgjidhje, për shembull deri në fund të vitit, sepse në ndërkohë janë zgjedhjet. “Por, vazhdojmë me punë. Vazhdojmë nëpër rrugën tonë, së pari me miqësinë, përmes së cilës do të fitojmë shumë. Edhe të dy vendet jemi anëtare të NATO-s, ndërsa vitin e kaluar BE-ja solli vendim për fillim të negociatave. Ne jemi krenarë me gjithçka që ndodh edhe krahas asaj që kishte pandemi”, deklaroi Zaev.