Kryeministri Zoran Zaev sot në përgjigjen e pyetjes së gazetarëve që ta komentojë deklaratën e presidentit bullgar Rumen Radev se në Maqedoninë e Veriut ka shkelje sistematike të të drejtave të njeriut të qytetarëve me bindje bullgare dhe se Shkupi vetëm mendon t’i përmbushë kriteret për anëtarësim në BE, tha se vendi vazhdon me evropeizmin në vend dhe se i respekton njëjtë të drejtat e të gjithë qytetarëve.
“Unë thash, ajo është punë e BE-së kur do të vendosin që ta vazhdojmë procesin le të na lajmohen. Ne në ndërkohë vazhdojmë me evropeizmin këtu. Kemi procese serioze të agjendës Evropa në vend që nënkupton unifikim të Tarifës së Doganave, ja sot në Qeveri është faza e parë dhe pastaj vazhdojnë konsultimet ku të gjitha doganat i barazojmë në nivelin e BE-së. Kjo është pjesë e kapitujve, ne tashmë e bëjmë. Në pjesën e avancimit të të gjitha aspekteve të tjera në jetën shoqërore gjithashtu punojmë për çdo ditë sepse rruga jonë drejtë BE-së në fakt nënkupton evropeizmin këtu, të institucioneve të Maqedonisë së Veriut dhe të jetës së qytetarëve të vendit”, tha Zaevi.
Kryeministri nuk deshi që përmes mediave t’i replikojë disa qëndrimeve të Radevit ose të përfaqësuesve të tjerë bullgarë.
“Edhe një herë vetëm do të them se ne jemi vende mike, se secilën herë jo vetëm para publikut maqedonas, por edhe para atij bullgar dhe të gjithëve kemi bërë atë që nënkupton respektim të të drejtave të qytetarëve në mënyrë të barabartë. Zoran Zaevi është paraqitur në manifestime dhe shoqërime të shoqatave bullgare, shumë më shumë gjatë viteve të fundit se sa në shoqërime maqedonase dhe shqiptare ose turke në shtet, sepse kam qenë i ftuar, kam qenë atje. Ngritëm përmendore të kolonelit Garanvaliev me të gjitha flamujt bullgarë para, po edhe ai maqedonas është këtu, kemi treguar respekt kudo sepse bëhet fjalë për fqinjin tonë, por bëhet fjalë edhe për qytetarë të përcaktuar si bullgarë në vendin tonë dhe ne nuk kemi problem me këtë”, theksoi Zaevi.
Ai përkujtoi se për mënyrën e organizimit të shoqërisë sonë qytetare, e gjithë bota flet në superlative dhe se nuk mundet përfaqësues politikë të flasin për politika të caktuara dhe të nxjerrin përfundime për drejta të caktuara ose jo.
Dje presidenti bullgar Radev, në takim me Salzburg me homologun e tij austriak Aleksandar Van der Ben, tha se Bullgaria është mbështetësja më e fuqishme e zgjerimit të BE-së, por nuk mund të lejojë shkeljen e të drejtave të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut me vetëdije bullgare. Ky reagim i Radevit vijoi pasi paraprakisht në ditën e njëjtë kryeministri Zaev theksoi se Kushtetuta e vendit do të hapet pak para anëtarësimit në BE dhe atëherë do të futen në të edhe bashkësitë më të vogla etnike të cilat jetojnë në vend ndërsa nuk janë të përmednur në aktin më të lartë juridik të shtetit.