Jemi në rrugën e duhur për të ndërtuar një sistem dhe politika që do të mbështesin ndërmarrësit tanë, për t’i inkurajuar ata dhe për të filluar zbatimin e ideve të tyre. Kushtet për fillimin e një biznesi të ri dhe krijimin e startapëve po përmirësohen, dhe ndërmarrësi i ri ngadalë, por sigurt po zë vendin kryesor në ekonominë e vendit, potencoi zëvendëskryeministri i Qeverisë, përgjegjës për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investimet, Fatmir Bytyqi.
Zëvendëskryeministri në kolumnën për portalin Faktor, informoi se si një mbështetje shtesë për ekonominë e brendshme, rreth 6 muaj më parë u krijua Këshilli nacional i startapit, qëllimi i të cilit është shkëmbimi i ideve, krijimi i politikave dhe krijimi i një klime që do të mbështesë zhvillimin, inovacionin, kreativitetin dhe suksesin e ideve të reja të biznesit. Aktualisht, projektet e startapëve vendas bashkëfinancohen nga Fondi i Inovacioneve dhe Zhvillimit Teknologjik deri në 70 përqind të vlerës totale të projektit, që do të thotë se për këto kompani sigurohet mbështetje financiare vërtet e fortë nga shteti, gjegjësisht nga buxheti.
Bytyqi shkruan se për momentin po punohet në disa zgjidhje ligjore që duhet të fusin një ndryshim në situatën aktuale për të lehtësuar hyrjen dhe për të mundësohen mjete financiare shtesë nga investitorët privatë në kompanitë startap.
“Qeveria i sheh ndërmarrësit e rinj si një segment të rëndësishëm rreth të cilit duhet ndërtuar një strategji afatgjatë për zhvillimin e ekonomisë së brendshme në të ardhmen dhe besojmë se pikërisht Qeveria duhet të jetë ajo që do të lehtësojë rrugën për në botën e biznesit për ata të cilët dëshirojnë të fillojnë për herë të parë biznesin e vet. Në vetëm katër vjet, Fondi i Inovacioneve dhe Zhvillimit Teknologjik është bërë një shtëpi për të gjitha kompanitë mikro, të vogla dhe të mesme, dhe tani në portofolin e tij numëron mbi 640 kompani që kanë realizuar, filluar ose do të fillojnë me realizimin e projekteve në vlerë totale të investimit nga 85,1 milionë euro”, nënvizoi zëvendëskryeministri.
Si një nga parakushtet kryesore për zhvillimin e ndërmarrësisë, Bytyqi tregon për ekzistimin e një sistemi arsimor cilësor dhe modern, duke shtuar se ky zhvillim do të jetë edhe më i shpejtë në kombinim me investimet aktive në inkubatorë dhe akceleratorë për të mbështetur kompanitë startap.
“Besoj fuqishëm në inkurajimin e startapëve dhe kompanive të reja inovative, ato janë ato që do të na njohin me industrializimin e katërt. Me ta ne mund të zgjidhim një numër problemesh sociale dhe shoqërore, për të përdorur burimet më optimale, përmes tyre për të punuar në rritjen e përfshirjes dhe diversifikimit në të gjitha bazat. Në mënyrë që të arrihet e gjithë kjo, ka disa pika kryesore që duhet të funksionojnë në sinergji – pika e parë është arsimi. Këtu duhet të fillojnë farat e ndërmarrësisë dhe të kultivohet fryma e guximshme dhe inovative të të rinjve. Vetë universitetet dhe profesorët duhet të luajnë një rol aktiv në nxitjen e liderëve të rinj që do të ndryshojnë botën. Tjetra janë inkubatorët dhe akceleratorët që do të investojnë në zhvillimin e hershëm, që do t’u japë një shans shumë bizneseve të reja për të parë nga të gjithë ata që do të kalojnë sitën dhe do të kalojnë në fazën tjetër. Ato ndiqen nga fondet e investimeve, sikurse Fondi i Inovacioneve, por edhe fonde private që do të investojnë në ide super kreative të epokës së re. Gjithsesi, politikat dhe vendosja e sistemit ekonomik janë punë e Qeverisë dhe ne jemi të përkushtuar për këtë. Së bashku me Këshillin nacional për startapë, tashmë jemi duke punuar në këto hapa të guximshëm, shpresoj se do të frymëzojmë sa më shumë njerëz që të jetë e mundur të përfshihen dhe të merren nga ideja – Maqedonia e Veriut destinacioni startap në rajon”, potencoi në kolumnën për portalin Faktor, zëvendëskryeministri për çështjet ekonomike Fatmir Bytyqi.