Lufta e hapur dhe qëndrimet e forta kundërshtuese ndër vite të Sali Berishës me SHBA si dhe krijimi i kushteve për korrupsion të djalit dhe vajzës, janë ndëshkuar nga qeveria e SHBA.
Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken publikisht ka shpallur si person non grata në SHBA ish presidentin dhe ish kryeministrin Sali Berisha bashkë më familjen e tij.
Është vetë sekretari Blinken i cili përmes një mesazhi në Twitter shkruan se ish-presidenti Shqipërisë Sali Berisha me aktet e tija korruptive minojnë demokracinë.
“Unë në mënyrë publike shpall Berishën dhe anëtarët e familjes së tij të ngushtë si të ndaluar për të hyrë në SHBA”. Ne, thekson sekretari amerikan i shtetit, qëndrojmë të bashkuar kundra korrupsionit me partnerët tanë në Shqipëri”.
Ndërkohë në faqen e departamentin të shtetit jepen hollësi për këtë vendim ndëshkues ndaj Sali Berishës dhe familjes me motivacionin për përfshirje në mënyrë sinjifikative në korrupsion.
“Në funksionin e tij si kryeministër i Shqipërisë, Berisha është përfshirë akte korruptive si keqpërdorimi fondeve publike dhe ndërhyrje me proceset publike duke përdorur fuqinë për përfitime personale, dhe pasurimin e aleatëve politik përfshi familjen në kurriz të konfidencës publike të qeverisë shqiptare dhe institucioneve”.
Një tjetër shkak për këtë vendim thotë Departamenti amerikan i shtetit lidhet edhe me retorikën e përdorur nga Berisha për të mbrojtur veten, anëtarët e familjes dhe aleatët politik nga hetimet e pavarura antikorrupsion dhe masave llogaridhënëse.
Bashkë me Sali Berishën thotë DASH u ndalohet hyrja në SHBA edhe Liri Berishës, Shkelzen Berishës dhe Argita Berisha Malltezit.
Ky vendim i SHBA vërteton akuzat ndër vite se zoti Berisha përmes të birit dhe vajzës duke përdorur pozicionin e tij si kryeministër i favorizoi ata realizimin e pasurive të pajustifikuara ndërsa akuza tjetër e rëndë është se ka ndikuar që të mos hetohen këto akte korruptive.
Deklarata e plotë e Blinken
Sot, unë shpall përcaktimin publik të Sali Berishës, ish-President i Shqipërisë, ish-Kryeministër i Shqipërisë dhe ish-deputet i Parlamentit të Shqipërisë, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion domethënës.
Në cilësinë e tij zyrtare, veçanërisht si Kryeministër i Shqipërisë, Berisha ishte i përfshirë në veprime korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike, përfshirë përdorimin e pushtetit për përfitime personale dhe për të pasuruar aleatët e tij politikë dhe anëtarët e familjes së tij në kurriz të besimit të publikut shqiptar në institucionet e tyre qeveritare dhe zyrtarët publikë.
Për më tepër, retorika e tij tregon se ai është i gatshëm të mbrojë veten, anëtarët e familjes së tij dhe aleatët e tij politikë në kurriz të hetimeve të pavarura, përpjekjeve kundër korrupsionit dhe masave të llogaridhënies. Me këtë përcaktim, rikonfirmoj nevojën për llogaridhënie dhe transparencë në institucionet demokratike të Shqipërisë, proceset qeveritare dhe veprimet e zyrtarëve publikë shqiptarë.
Ky përcaktim bëhet në bazë të Nenit 7031(c) të Aktit të Departamentit të Shtetit për Buxhetin për Operacionet e Jashtme, dhe Programet Përkatëse, 2021. Përveç Berishës, unë përcaktoj publikisht bashkëshorten e tij, Liri Berisha, djalin e tij, Shkëlzen Berisha dhe vajzën e tij, Argita Berisha Malltezi. Këta individë janë të papërshtatshëm për të hyrë në Shtetet e Bashkuara.
Ky përcaktim riafirmon angazhimin e SHBA-ve për mbështetjen e reformave politike që janë kyçe për institucionet demokratike të Shqipërisë. Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të qëndrojnë krah popullit shqiptar. Departamenti do të vazhdojë të përdorë autoritete të tilla për të nxitur përgjegjësinë për personat e korruptuar në këtë rajon dhe globalisht.
Por, cili është reagimi i Sali Berishës në media
Nga mediat u njoha me vendimin tuaj të shpallur në twitter për të ndaluar hyrjen time në SHBA.
“Gjatë 30 viteve në politikë nuk ka ekzistuar kurrë asnjë akuzë në adresën time, nga asnjë person, asnjë institucion vendas dhe i huaj për abuzim me fondet publike dhe çfarëdo lloj tjetër korrupsioni. Gjatë të gjitha viteve të mia në pushtet, por dhe deri më sot, familjarët e mi nuk kanë përfituar kurrë nga fonde dhe asete publike dhe kanë zbatuar me rigorozitet të plotë ligjet e vendit. Ata deri më sot nuk kanë qenë kurrë nën akuzë nga drejtësia shqiptare apo e ndonjë vendi tjetër,” ka reaguar Berisha në një postim të gjatë në median sociale.
Berisha e ka quajtur qeverinë e drejtuar prej tij “si një qeveri që ka ndërmarrë një luftë të suksesshme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të dokumentuar edhe në raporte dhe vlerësime të qeverisë së SHBA.” “Kam denoncuar më shumë se kushdo tjetër në këtë vend publikisht brenda dhe jashtë vendit, krimin e organizuar shqiptar dhe bandat e tij, kartelet e drogës, lidhjet e tyre me zyrtarët më të lartë shqiptarë, por edhe të huaj, korrupsionin e papërmbajtur qeveritar në Shqipëri”, ka theksuar Berisha në reagimin e tij. duke shtuar, se “ka mbështetur reformën në drejtësi dhe të gjitha ndryshimet kushtetuese dhe ka kritikuar dhe denoncuar çdo akt të ndërmarrë në kundërshtim flagrant me amendamentet kushtetuese për vendosjen e kontrollit të plotë politik mbi sistemin e drejtësisë.”
Berisha shpreh dyshime në reagimin e tij lidhur me ndikimin e Geoge Soros në vendimin e DASH, kur shkruan se” ka denoncuar në mediat shqiptare dhe të huaja multimiliardierin George Soros, si korruptorin më kryesor të politikanëve të sotëm dhe si një armik të vërtetë të demokracisë në Shqipëri”.
Ditët e fundit lideri i saj, Lulzim Basha njoftoi se 59 deputetët e kësaj partie, të dalë nga zgjedhjet parlamentare të muajit të kaluar, 25 prillit, do të futen në shtator në Parlamentin e ri edhe pse nuk i njohin rezultatin e zgjedhjeve parlamentare, që i dhanë rradhazi PS mandatin e tretë qeverisës. Sali Berisha është personi i katërt që DASH ka shpallur në Shqipëri “persona të padëshëruar” dhe që u ndalon hyrjen në SHBA.
Në shkurt të vitit 2018 DASH shpalli “person të padëshiruar” ish Prokurorin e Përgjithshën të Shqipërisë, Adriatik Llalla dhe familjen e tij “për përfshirje në afera korruptive”, i cili vazhdon të jetë në proces gjyqësor. Pas dy muajsh, në prill po të vitit 2018, DASH shpalli “person të padëshiruar” Tom Doshin, ish-deputet socialist bashkë me familjen e tij për të njëjtat arsye. Në korrik të vitit 2019, DASH, shpalli “person të padëshiruar” ish-kryetarin e bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako së bashku me familjen e tij për përfshirje në afera korruptive.
Deklarata e Ambasadores Yuri Kim
“Sot, unë jam duke shpallur emërimin publik të Sali Berishës, një ish-President i Shqipërisë, ish-Kryeministër i Shqipërisë dhe ish-deputet i Parlamentit të Shqipërisë, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të rëndësishëm. Në cilësinë e tij zyrtare si Kryeministër i Shqipërisë në veçanti, Berisha ishte përfshirë në veprime korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike, duke përfshirë përdorimin e pushtetit të tij për përfitimet e tij dhe për të pasuruar aleatët e tij politikë dhe familjen e tij anëtarët në kurriz të besimit të publikut shqiptar në institucionet e tyre qeveritare dhe zyrtarët publikë. Për më tepër, retorika e tij tregon se ai është i gatshëm të mbrojë veten, anëtarët e familjes së tij dhe aleatët e tij politikë në kurriz të hetimeve të pavarura, përpjekjeve antikorrupsion dhe masave të përgjegjësisë.
Ky emërim është bërë nën Seksionin 7031 (c) të Departamentit të Shtetit, Operacionet e Jashtme dhe Akti i Ndarjeve të Programeve të Ndërlidhura, 2021. Përveç Berishës, unë po përcaktoj publikisht bashkëshortin e tij, Liri Berishën, djalin e tij, Shkelzen Berisha vajza e tij, Argita Berisha Malltezi. Këta individë nuk janë të përshtatshëm për të udhëtuar në Shtetet e Bashkuara”, ka cituar Yuri Kim ne mediat sociale.
Ndërkohë, Sali Berisha ditën e sotme, në orën 18.00 do të mbajë një konferencë për shtyp në Hotel Rogner, ku fton të gjitha mediat të marrin pjesë.