Ambasadorja gjermane në vend Anke Hollshtajn i dorëzoi ministrit të Shëndetësisë Venko Filipe, donacion prej 72.000 testeve kovid të shpejta antigjene me vlerë prej 298 mijë euro, të destinuara për institucionet shëndetësore publike dhe kovid qendrat në vend.
“Jam e lumtur që sot po dorëzoj edhe një donacion tjetër për shëndetin publik maqedonas, të financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Gjermanisë përmes Organizatës për Ndihmë dhe Mbrojtje nga Katastrofat. Gjermania ka mbështetur sektorin shëndetësor të Maqedonisë të Veriut që nga fillimi i pandemisë me rreth 1,45 milion euro”, tha Hollshtajn pas dorëzimit të donacionit.
Ajo theksoi se Gjermania është gjithashtu bashkëthemeluese e platformës së furnizimit të vaksinave dhe donatori i saj më i madh me 2,1 miliardë euro, duke shtuar se Kovaks furnizon rreth 142 vende me vaksina kundër Kovid-19, pjesa më e madhe prej të cilave i marrin ato falas.
Ministri Filipçe tha se donacioni i sotëm është një hap tjetër përpara, siç tha ai, në bashkëpunimin e vazhdueshëm në shumë vitet e kaluara, i cili është intensifikuar ndjeshëm që nga fillimi i krizës së koronavirusit.
“Në vitin e kaluar, Gjermania përmes Ambasadës ka dhuruar sasi të konsiderueshme të pajisjeve mbrojtëse personale, makinerive respiratore, maska speciale mbrojtëse dhe tani analiza të shpejta të antigjenit”, tha Filipçe, duke falënderuar ambasadoren Hollshtajn për angazhimin.
Përmes komunikimit të ndërsjellë, shtoi ai, ne shpesh tregonim atë që na duhej dhe sa herë që kishte mundësi ata na dilnin në ndihmë.