Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani udhëtoi sot për një vizitë zyrtare njëditore në Prishtinë, ku u takua këtë mëngjes me shefen e diplomacisë së Kosovës, Donika Gërvalla, pas së cilës u prit edhe nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Siç njofton korrespondenti i MIA-s nga Prishtina, shefat e diplomacive të dy vendeve, në një konferencë të përbashkët për shtyp në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës, hodhën poshtë si shumë të rrezikshme çdo ide të ndryshimit të kufijve në rajon dhe e theksuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet fqinjët.
Duke u përgjigjur në pyetjen në lidhje me gjasme non-pejperin slloven mbi “zgjidhjen përfundimtare” të çështjeve kombëtare në Ballkanin Perëndimor përmes ndryshimeve të kufijve, Osmani porositi se alternativa e vetme e rajonit është anëtarësimi i saj në NATO dhe integrimi në Bashkimin Evropian.
“Ne nuk duhet të biem në atë kurth, sepse ai dokument, i cili pretendohet se është përgatitur nga kryeministri slloven, është përgënjeshtruar nga ana e Sllovenisë dhe mendoj se është e gabuar atë ta ndërlidhim me atë vend. Alternativa e vetme është zgjerimi i NATO-s për paqen dhe integrimi në Bashkimin Evropian”, tha Osmani.
Kolegia e tij, Gërvalla, theksoi se vetë përmendja e këtyre tezave përbën një kërcënim për stabilitetin e rajonit.
“Është e rrezikshme kur shfaqen tendenca të tilla, me ndarje dhe vija etnike, kështu që është mjaft e qartë se ky dokument nuk ka rëndësi për ne, por është shumë i rrezikshëm, sepse nxit konflikte”, tha Gërvalla.
Të dy ministrat i vlerësuan marrëdhëniet midis Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës si jashtëzakonisht të mira dhe paralajmëruan thellimin e tyre të mëtejshëm.
Osmani informoi për përmbajtjen e bisedave me kolegen e tij, si dhe për disa nga aktivitetet e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut në drejtim të ndërlidhjes rajonale.
“Më gëzon bashkëpunimi i mirë midis dy vendeve sovrane dhe demokratike, për krijimin e një miqësie të thellë dhe të fortë, sepse hap mundësi për të dy vendet. Biseduam për shumë çështje specifike dhe fokusi ishte në temat ekonomike, forcimin e lidhjeve të infrastrukturës, lehtësimin e transportit të mallrave dhe shumë gjëra të tjera. Informova për punimet në autostradën nga Shkupi deri në kufirin me Kosovën, si dhe për projektin tonë për ndërlidhjen e Bllacës, përmes Shkupit, Tetovës, Kërçovës, Strugës dhe Qafë Thanës, me çka do të rrumbullaksohet Korridori i tetë, siç kërkojnë qytetarët tanë”, tha Osmani.
Shefi i diplomacisë maqedonase tha se Shkupi është gati t’i vë në dispozicion të Prishtinës përvojat me anëtarësimin në NATO dhe integrimin në BE.
“Maqedonia e Veriut, si anëtare e NATO-s, e mbështet plotësisht perspektivën euroatlantike të Republikës së Kosovës. Shpreha kënaqësinë që nga ky vit pjesëtarët e Armatës së Maqedonisë së Veriut janë pjesë e KFOR-it. Ambicia jonë është integrimi i plotë i gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE dhe si një vend negociues me BE ne jemi të gatshëm t’i vëmë në dispozicion të Kosovës të gjitha përvojat tona deri më tani në atë drejtim”, tha Osmani.
Ai shtoi se Maqedonia e Veriut i mbështet përpjekjet për të mbyllur çështjet e pazgjidhura në rajon, duke përfshirë dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit, deri në njohjen reciproke të të dy vendeve.
“Republika e Maqedonisë së Veriut e mbështet dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe konsideron se qëllimi i saj përfundimtar duhet të jetë njohja reciproke e të dy vendeve dhe rruga evropiane e të gjithë rajonit”, deklaroi Osmani.
Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës tha se bashkëpunimi midis dy vendeve është një shembull i bashkëpunimit rajonal dhe theksoi se qëllimi i tyre i përbashkët është anëtarësimi në BE.
“Maqedonia e Veriut është ndër partnerët strategjikë, me të cilin kemi rreth 30 marrëveshje bashkëpunimi dhe lirisht mund të themi se këto dy vende janë shembull i bashkëpunimit dhe fqinjësisë së mirë, duke dhënë një shembull të mirë për të gjithë rajonin. Kosova dhe Maqedonia e Veriut po ecin në të njëjtën rrugë dhe kjo rrugë është integrimi në BE”, tha Gërvalla.