Në Serbi, deri më tani kundër Kovid-19, janë vaksinuar më pak se 15.000 shtetas të Maqedonisë së Veriut, informoi ministri serb i Shëndetësisë, Zllatibor Llonçar në konferencën e sotme të përbashkët për media në Beograd, me homologun e tij nga Maqedonia e Veriut, Venko Filipçe.
“Më e pakta që mund të bëjmë për qytetarët maqedonas, të cilët u vaksinuan kundër Kovid-19 në Serbi, është që të marrin dozën e dytë këtu dhe në rastin më të keq të rivaksinohen në vendin ku janë vaksinuar. Ky është parimi ynë, por gjithmonë mund të merremi vesh që t’i lëmë vaksinat për rivaksinim dhe dozën e dytë ta marrin në vendin e tyre nëse iu vjen më lehtë”, porositi Llonçar.
Ai theksoi se ka më pak se 12 javë që të arrihet marrëveshje për këtë, duke shtuar edhe tani, derisa zgjat konferenca për media, disa qytetarë të Maqedonisë së Veriut po vaksinohen në Serbi.
“U dalim në ndihmë të gjithë qytetarëve maqedonas, të cilët kanë ndonjë arsye që të jenë këtu dhe këtë do të vazhdojmë ta bëjmë edhe në të ardhmen për shkak të asaj që konsiderojmë, se këtë problem nuk mund ta zgjidhë një shtet vetëm, në kuadër të kufijve të saj. Ky është problem shumë më i madh dhe sado që të jenë më mirë fqinjët tanë, aq do të na nevojitet edhe neve. Në çdo rast e vazhdojmë bashkëpunimin dhe i ndihmojmë njëri-tjetrit në interes të qytetarëve”, tha Llonçar në përgjigjen e pyetjeve të gazetarëve.
I pyetur nëse mundet në Serbi të vaksinohen edhe qytetarët maqedonas, të cilët nuk kanë qëndrim të përhershëm, tha se edhe kjo është e mundur.
“Qytetarët e Maqedonisë së Veriut të cilët kanë dëshirë të vijnë të vaksinohen në Serbi, këtë mund ta bëjnë vetëm përmes portalit e-drejtoria ose nëse zbatojmë aksione të reja. Nëse nuk ka kurrfarë baze tjetër, mos ejani”, i porositi Llonçari qytetarët e Maqedonisë së Veriut.