Sipas burimeve nga MPB, në protestën e sotme kundër rastit “Monstra”, shtatë policë janë lënduar, ndërsa tetë pjesmarrës në protestë janë arrestuar. Gjatë ditës pritet të ketë edhe të arrestuar të tjerë.
Filloi në mënyrë të qetë para parkut të Çairit, ndërsa eskaloi në incidente të izoluara para qendrës tregtare “Mavrovasja”. Ky ishte epilogu i protestës së sotme që si shkas kishte vendimin e fundit të Gjykatës Penale që dënoi me burg të përjetshëm tre të akuzuar dhe nga 9-15 dy të tjerë në rastin “Monstra”.
Marshi kishte për qëllim të vazhdojë para gjykatave dhe të përfundojë para Qeverisë, por kordoni policor i ndaloi në afërsi të Q. T. “Mavrovasja”. Aty u mbajt një fjalim nga Bedri Ajdari, familjarë i të dënuarve, ndërsa ju kërkua policisë tu hapte rrugën. Ndërkohë persona të maskuar nga mesi i protestuesve filluan të godasin policinë me grushta dhe gjësende të forta, ndërsa policia u kundërpërgjigj me gaz lotësjellës, shkopinj gome dhe shok bomba. Në mesin e të lënduarve, sipas raportimeve të mediave ka pasur edhe policë edhe protestues. Pas disa incidenteve të izoluara, protestuesit u shpërndanë dhe policia u tërhoq.