Synimi kryesor i të gjitha masave ekonomike ka qenë që të ruhen vendet e punës në veçanti në sektorin privat por njëkohësisht të ndihmohen kompanitë sa i përket likuiditetit dhe besoj që këtë e kemi arritur, deklaroi ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi mbrëmë në emisionin “Arti i Financës” në Televizionin Klan.
“Ne jemi të bindur se masat për mbështetjen e sektorëve të ndryshëm do të vazhdojnë edhe në të ardhmen nëse pandemia vazhdon edhe gjatë vitit 2021. Jemi më se të bindur që do të ketë zvogëlim edhe të papunësisë në Maqedoninë e Veriut për shkak se ka një tendencë të rritjes sa i përket tatimit personal. Sa i përket TVSH-së por edhe të hyrave tjera vërehet një rritje dhe një rikthim sa i përket aktivitetit ekonomik në vend”, theksoi Bekteshi.
Ministri më tej sqaroi më hollësisht mundësitë të cilat mund të shfrytëzojnë kompanitë nga Pakoja e pestë e masave dhe i bëri thirrje opozitës që mos të bllokojë ligjet të cilat janë në interes të biznesit.
“Bizneset munden që vet të vendosin se cilat masa do t’i shfrytëzojnë në veçanti nga Pakoja e pestë ekonomike. Të gjitha bizneset që kanë kapacitet që të bëjnë investime gjatë vitit 2021 me siguri do vendosin të marrin kredi pa kamatë me grant komponentë dhe të gjithë bizneset që nuk do të kenë atë mundësi do të shfrytëzojnë masën sa i përket pagesës së pagave”, shtoi ministri.
Në pyetjen lidhur me protestat që po realizohen ditëve të fundit nga pronarët e lokaleve të dasmave, muzikantëve e veprimtarive të tjera të ngjashme ministri Bekteshi deklaroi se po vazhdojnë bisedimet për të gjetur zgjidhje të pranueshme për të gjitha palët.
“Është me rëndësi të theksohet fakti se pikërisht kërkesa kryesore e protestuesve ka të bëj me ndryshimin e protokolleve të cilët I sjell Komisioni për sëmundje Infektive, I cili është Komision profesional dhe ne si Qeveri në vazhdimësi kemi respektuar propozimet e tyre. Ne do të vazhdojmë të bashkëbisedojmë, të gjejmë në zgjidhje të përbashkët por unë e kam theksuar edhe më herët tani edhe po e rikonfirmoj që ultimatumet janë të papranueshme për Ministrinë e Ekonomisë dhe për Qeverinë. Është e drejtë e tyre që të protestojnë por, është obligim i yni që masat t’i dizajnojmë bashkërisht me Odat ekonomike”, nënvizoi Bekteshi në emision.
Ai tha se pikërisht ky sektor është ndër sektorët që është përfshirë thuajse në të gjitha masat e deritanishme ekonomike.
“Nuk është e vërtetë se nuk kanë qenë të përfshirë në kuadër të pakove paraprake por njëkohësisht edhe në pakon e pestë të masave ekonomike marrë parasysh që pikërisht nëpërmes Pakos së katërt drejtpërdrejtë kanë përfituar grante të gjithë objektet gastronomike për organizimin e dasmave dhe ahengjeve, në bazë të përllogaritjeve diku rreth 1 milion euro ka qenë ndihma për këto subjekte ekonomike dhe diku kanë përfituar rreth 125 objekte gastronomike që I bie mesatarisht kanë përfituar grante diku rreth 8 mijë e 200 euro çdo kompani e cila merret me këtë veprimtari. Të gjithë objektet gastronomike të cilët në fillim të pandemisë nuk kanë qenë të regjistruara apo të kategorizuara në bazë të Ligjit për Gastronomi në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë në ndërkohë kanë pasur mundësi që të kategorizojnë objektet e tyre dhe të fitojnë ndihma. Nga 16 subjekte ekonomike të cilat merren me organizimin e dasmave kemi arritur që në fund të vitit të kemi diku rreth 125 objekte gastronomike të kategorizuara” përfundoi Bekteshi.